Transmetuar më 02-12-2019, 12:43

Ka dalë para Gjykatës së Lezhës ditën e sotme, Arjan Meli, personi i cili akuzohet se krijoi një llogari false në rrjetet sociale, me emrin “Rilindja”, prej nga kërkonte kontribute për t’iu ardhur në ndihmë të prekurve nga tërmeti.

“Arrest me burg” caktoi gjykata ndaj tij, duke bërë që të qëndrojë në qeli në vijim të hetimeve.

Ndërkohë avokati kërkoi një masë më të butë sigurie, duke thënë se klienti i tij është i sëmurë, por kjo kërkesë u rrëzua.

Arjan Meli akuzohet për veprat penale “Mashtrim kompjuterik” dhe “Falsikim kompjuterik”.

Meli tha në gjykatë i kishte hapur llogaritë me qëllimin e mirë që të mblidhte para, të cilat synonte që ti përdorte për të prekurit nga tërmeti.

30-vjeçari kishte hapur një llogari bankare në euro pranë një banke të niveli të dytë në Lezhë dhe në të kishte depozituar 5 euro.

Meli kishte postuar një status në emër të Kryeministrit, duke u bërë thirrje qytetarëve për solidarizim duke kontribuuar në vlera monetare në dy numra llogarie, të cilat ky shtetas i kishte publikuar në këtë status.

Numrat e llogarisë ishin llogari private të tij dhe se gjatë kësaj kohe të shkurtër qytetarë të ndryshëm kanë rënë pre e këtij mashtrimi duke bërë derdhje shumash të ndryshme. Policia e Shtetit, në bashkëpunim me strukturat e tjera të Inteligjencës Financiare dhe të sistemit bankar kanë marrë masa për bllokimin e kësaj llogarie. /a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd