Transmetuar më 19-11-2019, 17:37

Prej vitesh vazhdon të jetë i ndezur debati për lojtarët që nuk preferojnë të luajnë me Shqipërinë. Ata që nuk zgjedhin Shqipërinë etiketohen gjithashtu edhe me nofkën "tradhtarë".

"O sa mirë me qenë shqiptar", slogani i famshëm i tifozëve kuqezi, duket se nuk ka efekt as tek ata që kanë përfaqësuar ndër vite ngjyrat e Kombëtares shqiptare.

Ish-kapiteni i Kombëtares, Rudi Vata, tha se ndihet shumë mirë që djali i tij futbollist ka zgjedhur të luajë për përfaqësuesen e Irlandës. Ai lëshoi akuza kundër stafit kuqezi, që nuk tregoi interes.

Vata ka luajtur 59 ndeshje me Shqipërinë, ndërsa kur ishte pjesë e  Celtic, ai ka fituar Kupën e Skocisë në vitin 1995.

Në një intervistë për “Scottish Sun”, legjenda kuqezi Rudi Vata, i cili luajti për vite të tëra me Celtik kujtoi debutimin  kundër Sligo Rovers, ekipi irlandez dhe u shpreh se "prandaj është një ndjesi shumë e veçantë për mua që djali im është në Irlandë tani”, tha Vata.

Djali i tij, Rocco, 14 vjeç, mund të luante  edhe me Shqipërinë, por edhe Skocinë, ndërsa lidhja me Irlandën vjen për shkak të një gjysheje nga ana e nënës. “Askush nga Federata Shqiptare nuk më kontaktoi. E di që Skocia e ka monitoruar, por Federata Irlandeze ishte e para që u vu në kontakt me ne, theksoi Vata. “Gjyshja e tij duhet të jetë irlandezja më e lumtur në Skoci”.

Vata nuk i kursen kritikat në drejtim të Shqipërisë. – “Njerëzit në Shqipëri e kanë marrë vesh këtë përmes rrjeteve sociale. Besoj se shumë vetë në vendlindje po më shajnë. Por nëse Shqipëria do të ishte treguar mjaftueshëm profesioniste, do të kishte treguar interes dhe të kishte bërë detyrat e shtëpisë, do ta kishte parë që Rocco luante për Celtic dhe do të kishte kontaktuar me mua. Ata nuk treguan respekt, dëshirë apo profesionalizëm dhe nëse nuk e bëjnë këtë, nuk do të luajë kurrë për Shqipërinë” u shpreh ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare.

Megjithatë, Vata pranon për gazetën britanike se nuk ka ndërmend të diktojë zgjedhjet e të birit për të ardhmen, pasi Rocco mund të zgjedhë mes tre përfaqësueseve deri në nivelin U-21. “Gjithçka mund të ndodhë në të ardhmen, por është Irlanda që ka kontaktuar dhe ka treguar interes e respekt. Rocco është i lumtur që është përfshirë dhe shpresoj që të luajë mirë. Ka mundësi të bëhet një lojtar i veçantë”./NOA.al/