Transmetuar më 19-11-2019, 08:59

Janë lënë të lirë nga talebanët dy pengje perëndimorë, për të cilët tre ditë më parë Presidenti afgan Ashraf Ghani kishte lajmëruar “ndërrimin” me tre rebelë të burgosur.

Bëhet fjalë për profesorin amerikan Kevin King dhe kolegun e tij australian Timothy Weeks, të rrëmbyer në gusht 2016 në Kabul dhe qysh nga ajo kohë mbaheshin nga talebanët. Bëhet me dije se lirimi i tyre ka ndodhur në Katar.

Në videon e fundit të vitit 2017, Timothy Weeks, 50 vjeç dhe Kevin King, 63 vjeç, u panë për herë të fundit.

Dy profesorët e Universitetit amerikan në Kabul, u rrëmbyen nga persona të armatosur, teksa ishin nisur për në universitet.

Ndërkohë tre talebanët e liruar këtë të hënë në këmbim të dy profesorëve, ishin të burgosur në burgun e Bagram në Veri të Kabul. Mes tyre është Anas Haqqani, Haji Mali Khan dhe Abdul Rashid. /a.y/noa.al/