Transmetuar më 18-11-2019, 17:01

Lista me tre kandidatët për Kryeprokurorin e ri të Përgjithshëm të Shqipërisë do të dërgohet të mërkurën në Kuvend.

Lista me tre kandidatët mbërrin më 20 nëntor dhe Kuvendi ka një muaj afat për të zgjedhur dhe votuar kryeprokurorin e ri.

Siç është bërë e ditur, listën e KLP e kryeson prokurori i Krimeve të Rënda, Olsian Çela.

Kryeprokurorja e Përkohshme në detyrë Arta Marku e Fatjona Mençaj nuk e kanë ankimuar rezultatin e KLP-së, që nxori të parin Olsian Çelën.

Kuvendi ka 30 ditë kohë të votojë propozimin për Prokurorin e ri të Përgjithshëm  të Shqipërisë, ku nevojiten edhe votat e opozitës së re parlamentare. Nëse dështon për të mbledhur votat, emërimin e bën menjëherë KLP.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë emëron kandidatin që kryeson listën për Prokuror të Përgjithshëm, pra pikërisht Olsian Çelën.

Zgjedhja e kryeprokurorit të ri shihet edhe si hapi i parë për ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë, si SPAK dhe BKH, organe që do të mbështeten nga SHBA dhe BE e do të merren kryesisht për të ndëshkuar klasën e korruptuar politike, si dhe për të goditur krimin e organizuar në vend./NOA.al