Transmetuar më 18-11-2019, 14:29

Sot skadon afati 10 ditor sipas nenit 327 të kodit të procedurës penale për dërgimin e çështjes në gjyq për kreun e opozitës Lulzim Basha si i pandehur për falsifikim formulari. Së bashku me Bashën të pandehurit janë edhe Ilir Dervishi financier dhe ish-sekretari përgjithshëm Arben Ristani.

Afati përfundimtar është ora 16:00 e ditës së sotme. Me ligjin e ri, kompetent është prokurori i çështjes. Me pas gjyqtari paraprak vendos për dërgimin e dosjes në gjyq apo për rikthim prokurorisë.

Objekti i akuzës, sipas prokurorisë bën fjalë për transferimin e pagesës prej 675 mijë dollarë nga Partia Demokratike me qëllim lobimin në SHBA.

Kujtojmë se Lulzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike, do të shkojë i pandehur në gjykatën e Tiranës përballë Prokurorisë, për lobimin 675 mijë dollarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes kompanisë offshore Biniata Trade, për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.

Kjo është hera e dytë që lideri i opozitës përballet me drejtësinë në Gjykatë, pas akuzave për korrupsion në ndërtimin e Rrugës së Kombit si ministër i Transporteve./b.l/noa.al/