Mori 50 mijë euro për të liruar të dënuarin për vrasje, lihet në burg “juristja” e rreme
Transmetuar më 18-11-2019, 13:08

“Arrest me burg” është masa e sigurisë e dhënë sot nga gjykata për Amarilda Lekën e akuzuar për mashtrim. 33- vjeçarja lindur në Përmet dhe banuese në Tiranë, akuzohet se ka përfituar shuma të konsiderueshme parash, nga të afërm të personave që ndodheshin në burg.

Këto shuma parash e reja i kishte marrë me pretendimin se do t’ju ofronte ndihmë duke ndikuar në funksionarë të lartë të drejtësisë me qëllim nxjerrjen e tyre nga burgu.

Pas gati një vit hetimesh proaktive u bë i mundur dokumentimi me prova ligjore i veprimtarisë kriminale të ushtruar nga e dyshuara.

33-vjeçarja e arrestuar të enjten, akuzohet se ka mashtruar shtetasin B. Z., me banim në Tepelenë, duke i marrë 50 000 euro, me pretendimin se ishte juriste pranë Gjykatës së Lartë Tiranë dhe me njohjet që ajo kishte do të ndikonte pranë trupës gjykuese në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda Tiranë dhe në Gjykatën e Lartë.

Gjithçka për të nxjerrë nga burgu shtetasin A. M., i dënuar me 30 vjet heqje lirie, për një vrasje në rrethana rënduese që kishte kryer në Memaliaj, në vitin 2015, i cili është duke vuajtur dënimin në burgun e Bënçës, në Tepelenë.

Në vitin 2015 ajo i mori 25 mijë e 500 euro vëllait të një të arrestuari me premtimin se do të ndikonte tek një gjyqtar për të liruar nga burgu Xhorxh Gjoken të kapur me drogë.

Këto para sipas prokurorisë, ajo i shpenzonte për jetë luksi pasi asgjë nuk ndryshonte nga vendimi i gjyqtarëve.

Asokohe Leka prezantohej si nusja e djalit të ish-ministrit të Mbrojtjes. Madje ajo ka qenë ish-sekretare në shtabin elektoral të ministres Milena Harito./b.l/noa.al/

Loading...
Loading...