Transmetuar më 18-11-2019, 12:13

Objektivi kryesor në kualifikueset “Euro2020” ishte vendi i tretë, ndërsa një objektiv po aq i rëndësishëm ishte rifreskimi i ekipit pas epokës De Biasi. Edi Reja ndjen keqardhje vetëm për faktin që nuk kishte më shumë kohë për të punuar për përfaqësuesen kuqezi:

“Para se të përballosh një kampionat të tillë, duhet një vit të njihesh me ekipin, dhe unë nuk pata mundësi ta bëj. U mundova të sjell disa elementë të rinj. Provuam dhe me Kamberin. Është me rëndësi të fusësh lojtarë të rinj. Është jetike për një ekip si Shqipëria.

Grupi i De Biazit ka arritur një farë moshe, dhe duhen zëvendësuar. Jam i kënaqur, sepse ekipi ka pësuar rritje. Jam i kënaqur në përgjithësi si ka ecur kjo fushatë. Do mundohemi të bëjmë më mirë dhe të fusim lojtarë të tjerë”.

Sfida kundër Francës, “de jure” ishte dhe fundi i kontratës së Edi Rejas me Federatën Shqiptare të Futbollit, por të dy palët publikisht kanë shprehur dëshirën e tyre për të vijuar bashkëpunimin, dëshirë të cilën italiani e konfirmoi sërish:

“Do të flas me presidentin për të ardhmen time pasi kontrata ime përfundon këtu. Kemi bërë një punë të mirë dhe më ka pëlqyer. Do të doja të vazhdoja me Kombëtaren shqiptare”.