Me shpejtësi 173 km/h dhe manovra të rrezikshme, çfarë ndodhi gjatë natës në Tiranë-Elbasan
Transmetuar më 17-11-2019, 08:16

Autostrada e re Tiranë-Elbasan është kthyer në një prej akseve më problematike sa i takon shpejtësisë dhe aksidenteve të shkaktuara përgjatë saj.

Kështu herë pas here policia ushtron kontrolle të befasueshme për të ndëshkuar “pilotët” e kësaj rruge, të cilët bëhen shpesh burim aksidenti.

Policia Rrugore e Tiranës gjatë mesnatës mes të shtunës dhe të dielës ka ushtruar kontroll në rrugën Tiranë-Elbasan dhe anasjelltas, në segmentin ku evidentohet shpejtësi e lartë dhe manovra të rrezikshme, në një rrugë ku rrisku për tu përfshirë në ngjarje rrugore është i madh, pikërisht për shkak të këtyre shkeljeve.

Disa nga shkrepjet e shpejtësi matësit gjatë kontrolleve policore për rritjen e sigurisë, shënojnë nga 158-173 km/h, kur përgjatë gjithë javës, ky segment, ka qenë objekt kontrolli gjatë gjithë kohës dhe për një javë, mbi 135 drejtues mjetesh, kanë humbur të drejtën për të drejtuar mjetin disa muaj, vetëm për të fituar disa sekonda më shumë drejt destinacionit të tyre, që nëse diçka me mjetin apo me rrugën shkon keq, me një shpejtësi të tillë, mund të jetë dhe udhëtimi i fundit.

“Vajza dhe djem, etja për shpejtësi duhet limituar në raport me dispozitat ligjore, shkelja e të cilave, veç rrezikut permanent për ju dhe të tjerët, do ju penalizojë duke ju lënë pa leje drejtimi për një kohë të gjatë, pasi policia, do jetë aty, për të parandaluar aksidentet rrugore që vijnë si pasojë e shpejtësisë dhe çmendurisë në rrugë. Ndaj kujdesu për veten. Respekto rregullat”, apelon policia. /a.y/noa.al/

Loading...
Loading...