Transmetuar më 13-11-2019, 10:38

Presidenti i vendit, Ilir Meta ka reaguar ashpër pas sulmit që iu bë mbrëmë një anëtareje të komunitetit të LGBTI në Shqipëri, Anxhela H.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Tëitter, teksa e cilëson këtë një sulm burracak, kreu i shtetit u bën thirrje autoriteteve të marrin masat për zbardhjen e ngjarjes dhe për të vënë para drejtësisë autorët.

“E dënueshme dhuna kundër një anëtareje të komunitetit LGBTI në Shqipëri. I bëj thirrje autoriteteve ligjzbatuese të marrin masat e duhura për zbardhjen e këtij sulmi burracak dhe nxjerrjen para drejtësisë së autorëve”, shkruan Meta.

Reagimi i Metës vjen një ditë pasi një anëtare e komunitetit LGBTI në vend, Anxhela H., u përndoq e më pas u dhunua nga disa persona të paidentifikuar. Sipas njoftimit Anxhela ishte bërë shënjestër për shkak të pjesëmarrjes në paradën e fundit të LGBTI në Tiranë.

“Anxhela është sulmuar fizikisht në mes të rrugës nga një grup djemsh rreth të njëzetave. Pjesëtarja e komunitetit transgjinor është përndjekur dhe sulmuar, duke u targetuar për marrjen pjesë në paradën e fundit të lezbikeve në Tiranë.

Në vijim të zbardhjes së ngjarjes, u bëjmë thirrje autoriteteve ligjzbatuese të identifikojnë sa më shpejtë autorët dhe t’i sjellin ata përpara drejtësisë.

Pamjet e mëposhtme janë treguesi më i shëmtuar i realitetit me të cilin komuniteti LGBTI e kryesisht ai transgjinor përballen në Shqipëri. Ne nuk do të heshtim!”, -shkroi Aleanca LGBT./b.l/noa.al/