Transmetuar më 12-11-2019, 15:56

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, ka reaguar për situatën e krijuar në Astir, ku banorët u përplasën sot me policinë dhe punonjësit e IKMT, teksa kundërshtojnë prishjen e banesave të tyre.

Kryemadhi shkruan në “Facebook” se situata e krijuar në Astir është dëshmia e radhës së pushtetit të Edi Ramës në ortakëri me krimin dhe korrupsionin. Sipas saj, “dhimbja dhe lotët e nënave dhe fëmijëve që mbetën pa shtëpi dhe e baballarëve të dhunuar në sy të fëmijëve, për të ushqyer metastazat kanceroze të korrupsionit dhe krimit të maxhorancës së votave të vjedhura nga bandat e krimit, do të bëhen shumë shpejt, mallkimi dhe ndëshkimi mbi Edi Ramën dhe bandën e tij të pushtetit!”.

"Dhuna shtetërore e ushtruar sot në mëngjes me të gjithë barbarinë antinjerëzore e në tejkalim të plotë të kompetencave të ligjit ndaj banorëve të Unazës së Re, është dëshmia e radhës së pushtetit të Edi Ramës në ortakëri me krimin dhe korrupsionin, është prova e qartë se makineria qeverisëse është vënë në shërbim të klaneve kriminale, për interes të të cilave nuk kursen as dhunën ndaj qytetarëve, ndaj grave e fëmijëve të pa mbrojtur, ndaj të moshuarve dhe gjithë të tjerëve pa dallim.

Është gjithashtu edhe treguesi më i qartë se e gjithë retorika e tij për “Drejtësinë e Re” është një mashtrim, pasi drejtësia atij i duhet për të mbrojtur krimet dhe korrupsionin, ndërsa për qytetarët e pa mbrojtur dhe në nevojë ka zgjedhur dhunën dhe paligjshmërinë", shkruan Kryemadhi.

Më tej ajo vijon duke thënë se, "Skena e krimit, e ideuar dhe urdhëruar nga Edi Rama, parathotë fundin e tij të pashmangshëm, që do të jetë i njëjtë me fundin që meritojnë të gjithë ata që i kundërvihen popullit të tyre, të gjithë ata që u shërbejnë interesave të krimit në dëm të interesave kombëtare",/bl/noa.al/