Transmetuar më 12-11-2019, 15:21

Zv. kryeministri Erion Braçe ka reaguar pas deklaratave të liderit demokrat Lulzim Basha i cili tha se banorët e Astirit nuk janë dëmshpërblyer për banesat e tyre.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Braçe tha se vetëm për 8 objekte në lotin e parë janë paguar 148 milionë lekë dhe 360 milionë lekë për 15 objekte të tjera.

Zv. kryeministri ka publikuar edhe deklaratën e një banore të Astirit, e cila thotë se ka marrë 130 milionë lekë dëmshpërblim.

"130 milion leke tallje? 10 milion dollarë tallje? A i dini numrat apo jo? Vetëm për 8 objekte në Lot 1 janë paguar e marrë: 148 milion lekë/ 1.2 milion dollarë! Për 15 objekte të tjera tek Loti i 1 janë ndarë paratë e janë gati: 360 milion lekë/ 3.4 milion dollarë! Bëjini vetë llogaritë! Kjo veç tallje nuk mund të jetë!”, shkruan Braçe.

Sipas tij, “Ky Lylzim Basha që është parelli i madh shum, patjetër, tua paguajë një shtëpi sa shtëpia e luksit në bllokun e vilave ku merr frymë! Por nga lekët e tija ama, nga lekët e tij!".

Ndërkohë më herët edhe pasi ka marrë kompensimin sipas ligjit një banore u shpreh sërish e pakënaqur dhe habiti kur u shpreh se është dëmshpërblyer me plot 130 milionë lekë të vjetra (mbi 100 mijë euro) nga qeveria për shtëpinë por sipas saj, shteti po tallet me këta banorë./b.l/noa.al/