Transmetuar më 12-11-2019, 11:27

Ish-deputetja demokrate, Albana Vokshi nga spitali i Traumës, ku ishte për të takuar protestuesit e plagosur të "Astirit" tha se kryeministri Edi Rama ka dhënë urdhër që asgjë të mos bëhet transparente.

Vokshi u shpreh se ndër të palgosurit ka vajza, gra dhe pleq, ku disa prej tyre kanë pasur edhe djegie të gradës së tretë.

"Ka nga ato që i ka dalë kavilja, pleq që i janë thyer dhëmbët për shkak të dhunës që ka ushtruar policia. Ka disa zonja që kanë djegie për shkak të gazit. Zonjat nuk munda ti takoj. Ka pasur djegie të gradës së lartë. Ka dhjetëra të arrestuar, gra dhe vajza që janë dhunuar në mënyrë ç’njerëzore nga policia. Nuk dihet se ku i kanë dërguar.

Ne do jemi pranë banorëve deri në momentin e fundit. Nuk dihet sa është numëri total i të lënduarve.  Ata vetë kanë thënë që ka më shumë se 10-12 banorë. Por nuk morën asnjë informacion tjetër. Urdhri ka ardhur nga Edi Rama që asgjë të mos bëhet transparente", tha Vokshi.

Më tej ish-deputetja demokrate komentoi edhe njoftimin e publikuar nga ish-deputetja, Oriola Pampuri, e cila e shpalli një protestues të vdekur.

Vokshi sqaroi se qytetari ishte pa ndjenja dhe kishte mbërritur në spital pa ndjenja dhe vijon të jetë në gjendje jo të mirë shëndetësore.

"Kolegia ime u shpreh nga informacionet që i janë dhënë nga banorët dhe dëshmitarët. Zotëria ishte i shtrirë pa ndjenja në rrugë, i dhunuar. Ka qenë pa ndjenja edhe në spital. Nuk di tha kush më ka sjellë. Mbi të është ushtruar një dhunë shtazarake. Ende është në gjendje jo të mirë shëndetësore. Rezistencën do ta vijojmë deri në fund", përfundoi Vokshi.

Më poshtë po ju njohim me emrat e protesuesve të lënduar, që aktualisht ndodhen në spital.

Mahmut Imallari, 57 vjeç

Isuf Gjata, 80 vjeç

Artur Muja, 43 vjeç

Gentian Alla, 36 vjeç

Adelina Shehu, 46 vjeç

Dhurata Shehu, 69 vjeç