Transmetuar më 10-11-2019, 16:29

Pas përfundimit të konferencës së mbajtur mes kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic dhe kryeministrit Edi Rama, kreu i qeverisë shqiptare iu bashkua një bashkëbisedimi me gazetarët, për të dhënë detaje mbi samitin e Ohrit.

Ndër të tjera, Rama tha se “drejtimi ynë është Perëndimi dhe nuk kemi asnjë drejtim tjetër.”

Kryeministri u ndal gjerësisht edhe te raportet Shqipëri-Kosovë si dhe qëndrimet përkatëse të dy vendeve të të njëjtit komb, lidhur me mini-shengenin.

“Mendoj dhe punoj për interesat e Shqipërisë dhe të Kosovës, të heqim kufirin. Jemi dy shtete të vogla, duhet të bëjmë gjëra me dialog dhe me zgjuarsi”, tha Rama.

“Ne duhet të shohim interesin tonë si shqiptarë. Duke u mbyllur dhe duke mos çuar përpara bashkëpunimin rajonal ne humbasim shumë. Kosova është e ftuar, të gjithë shtetet janë  të ftuara. Kosova më parë është ulur në tryeza. Në bashkëpunimin tim me Kosovën nuk ka ngërç, për mua të paktën nuk ka”, tha Rama, duke marrë parasysh mungesën e Presidentit Thaç, apo të ministrit të Jashtëm në detyrë, Pacolli, pavarësisht se ata morën ftesë për të qenë të pranishëm në samit.

Rama më tej shtoi se dy partnerët strategjikë të kombit tonë, SHBA dhe Gjermania e mbështesin fuqishëm këtë proces dhe u shpreh i bindur se ai do të ketë sukses./NOA.al