Transmetuar më 10-11-2019, 12:27

Kryeministri Edi Rama ka postuar një foto nga samiti i Ohrit ku diskutohet krijimi i “Minishengenit Ballkanik”.

Kreu i qeverisë shfaqet në foto me homologun e tij maqedonas, Zoran Zaev dhe presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç, kryetarin e Këshillit të ministrave të Bosnja e Hercegovinës, Denis Zvizdiç dhe ministren e Ekonomisë të Malit të Zi, Dragica Sekuliç.

Në postimin e tij në rrjetet sociale, Rama përmend 4 liritë e BE në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Sesioni i parë i Mbledhjes së Ohrit për përshpejtimin e zbatimit të marrëveshjeve për 4 Liritë e Bashkimit Europian në rajonin e Ballkanit Perëndimor – Liria e Lëvizjes së Njerëzve; Mallrave; Shërbimeve; Kapitaleve”, shkruan Rama.

Shefi i qeverisë shqiptare mbërriti dje pasdite në Maqedoninë e Veriut, ndërsa u takua me Aleksandër Vuçiç dhe Zoran Zaev.

Takimi i parë mes tre liderëve u zhvillua në kryeqytetin e Serbisë pak ditë para se Këshilli i Evropës të jepte verdiktin për negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ku u fol edhe për krijimin e ‘Shengenit të Ballkanit’./b.l/noa.al/