“Mund të jenë hedhur në det?” Flet për herë të parë i fejuari i vajzës që u zhduk bashkë me kunatin në ’99
Transmetuar më 08-11-2019, 23:49

Historia e Luljeta Memqaj, e humbur më 1999 bashkë me kunatin e saj, është rikthyer sot me dëshmi të reja.

Memqaj, një shqiptare nga Kosova, e ardhur në Shqipëri gjatë kohës së luftës, u zhduk bashkë me kunatin në vitin 1999 teksa po udhëtonte drejt Italisë, ku do të priteshin nga një djalë me të cilin kishte dy vite e fejuar, Enver Jahajn.

Dyshimet e janë se mund të jetë martuar me kunatin e saj Reshat Jahaj, me të cilin u zhduk pa lënë asnjë gjurmë. Nga dëshmitë e bëra publike më parë në ’’Pa gjurmë’’, ishte parë në Brindisi bashkë me kunatin. Sipas të njëjtës dëshmi ky i fundit do ta shoqëronte Luljetën për t’u bashkuar me ish-të fejuarin e saj Enverin, vëllai i Reshatit.

Ka folur sot për herë të parë në emisionin “Pa Gjurmë”, ish-i fejuari i saj, Enver Jahaj.

Jahaj tha se ai personalisht atë kohë ka udhëtuar në drejtim të Italisë për të  pritur vëllain dhe nusen. Ai tha se personi që do t’i niste nga Vlora me skaf i ka rrëfyer se rrugës mund të kenë hasur disa probleme. Policia italiane ka bërë thirrje që të ndalojnë. Pas kësaj thirrje disa janë hedhur në det dhe vetëm ata që kanë ditur not, kanë shpëtuar.

"U nisa prej Gjermanisë në drejtim të Italisë, në Brindisi. Por datën kur ata janë nisur nuk e di saktë, nuk ma kanë treguar, pasi vëllai më tha që është prishur anija dhe nuk e dimë fiks kur do të nisemi, në mbrëmje apo në mëngjes. Kam komunikuar me Ilir Brokën, personin që do t’i niste nga Vlora. Në fakt ata e kanë patur për t’u nisur nga Durrësi me traget, jo nga Vlora, mirëpo i kanë mashtruar, i kanë çuar në Vlorë”, theksoi ai.

“Ilir Broka më ka thënë se do të niseshin me skaf nga Vlora, dhe prej atij momenti nuk jam lidhur më me vëllanë. Pas 2 ditësh, jam lidhur në celular me Ilir Brokën dhe me tregoi se ishin nisur me skaf për në Itali, por gjatë rrugës policia italiane  kishte bërë thirrje të ndalonin dhe pas disa thirrjesh, pala italiane  kishin qëlluar në drejtim të tyre. Dhe kush ka ditur not-më tha, ka shpëtuar, kush nuk ka ditur është mbytur aty. Kam kërkuar informacione në gjykata, polici dhe kampe por nuk ka patur asnjë informacion në lidhje me ta", tha ai.

Ndërsa xhaxhai i Reshatit, Osman Jahaj, tregoi se ai gjithashtu ka ardhur në Shqipëri ato vite së bashku me babain e Enverit dhe kanë shkuar në Vlorë.

“Së bashku më vëllain tim, të ndjerin shkuam në Vlorë dhe i gjetëm shtëpinë edhe Ilir Brokës, por ai na nxori një kushëririn e tij dhe na tha të njëjtin informacion që Iliri i kishte dhënë në celular Enverit. Por, sipas policisë së Tiranës, asnjë incident me Guardia Di Finanza nuk ka ndodhur në atë kohë”.

Sot, ajo kërkohet nga familjarët, nënë Hana dhe vëllai Xhem, por në të njëjtën kohë për të parën herë reagon edhe ish-i fejuari i saj, i cili ka ardhur në studio gjithashtu në kërkim të vëllait të tij, Reshat Jahaj.Ai kërkon të mësojë të vërtetën pas hijeve të dyshimeve se ish-e fejuara u largua me të vëllanë e tij.

Dëshmia e parë erdhi nga qyteti Këln, i Gjermanisë, ku një shtetase shqiptare pretendon se e ka takuar disa herë Luljetë. /NOA.al

Loading...
Loading...