Transmetuar më 19-10-2019, 11:47

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve ka reaguar përmes një deklarate zyrtare lidhur me kërcënimet për bombë bërë pak ditë më parë në adresë të gjyqtarit të Korçës,  Markelian Kuqo, nga një person i dënuar.

“Ngjarje të tilla, jo vetëm cënojnë ushtrimin në mënyrë të rregullt dhe efiçente të detyrës nga ana e gjyqtarëve por krijojnë edhe një pështjellim në jetën private dhe familjare të tyre. Nga ana tjetër, kur precedentë të tillë të rrezikshëm, shoqërohen me mosreagimin e organeve kompetente për ndjekjen dhe hetimin e tyre, situata bëhet akoma edhe më të rëndë e shkurajuese për trupën gjyqësore, për kryerjen e misionit të tyre fisnik të dhënies së drejtësisë”, thuhet në deklaratën e gjyqtarëve të Shqipërisë.

Ndër të tjera ata apelojnë të gjithë organet kompetente që të veprojnë me shpejtësinë dhe përgjegjësinë e duhur, me qëllim që personat të cilët qëndrojnë pas ngjarjeve të tilla, të marrin përgjigjen e duhur ligjore e ato të mos përsëriten më në të ardhmen.

“Gjithashtu, kjo shoqatë fton aktorët politikë, dhe në mënyrë të veçantë përfaqësuesit e pushtetit ekzekutiv, që të tregohen më të përmbajtur në raport me deklaratat dhe qasjen e tyre ndaj pushtetit gjyqësor.

Së fundi, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve i kërkon Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe organeve të tjera të ngarkuara, që në zbatim të detyrimeve të nenit 20 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” si dhe akteve nënligjore të dala në bazë e për zbatim të tij, të vlerësojnë situatën me seriozitet dhe të marrin të gjitha masat duhura për mbrojtjen e gjyqtarit në fjalë”, përfundon deklarata e gjyqtarëve./b.l/noa.al/