Transmetuar më 18-10-2019, 17:57

Konferencën për shtyp këtë të premte, Kryeministri Edi Rama e nisi me rastin e një djali të bllokuar në një kamp sirian ku strehohen gra dhe fëmijë të personave të lidhur me ISIS.

“Dua të ndaj me të gjithë ju një shpjegim lidhur me një shqetësim që e mora prej numri të konsiderueshëm shqiptarësh nëpër Evropë, ku në një emision të mbrëmshëm të RAI. Unë nuk e kam ndjekur, por më ka lënë të kuptohet se çështja e djalit të mitur është një çështje vullneti nga ana jonë apo e ambasadorit. Kjo është e pavërtetë. Unë kam nxjerrë një urdhër, është material i klasifikuar që nuk mund ta ndajmë me publikun lidhur me personat dhe me familjet që gjenden në ato territore si pasojë e përfshirjes së burrave në një luftë për të tjerë, në funksion të organizatës së ISIS.  Shqetësimi ynë ka qënë i lidhur me nevojën për të aksesuar në këto kampe me gra e fëmijë dhe në bashkëpunim me partnerët amerikanë ne kemi mbyllur procese të tërë identifikimi. Disponojmë të dhëna të shumë personave po janë çështje shumë sensitive, pasi ata njerëz janë shumë të rrezikuar dhe tërheqja e tyre nuk bëhet as me ambasada dhe as me ambasadorë dhe duhet ndihma e partnerëve. Dua t’iu them të gjithëve se po të ishte një çështje ambasadash apo ambasadorësh edhe vende të tjera do të kishin tërhequr individët. Kam komunikuar edhe me babanë e djalit dhe i kam sqaruar se kjo çështje nuk varet nga ne”, tha Rama.

Deklarata e plotë

Dëshiroj të ndaj me të gjithë një shpjegim lidhur me një shqetësim që e kam marrë prej një numri të konsiderueshëm bashkëqytetarësh, qofshin në Itali, qofshin këtu, apo në vende të tjera, mbi një emision të mbrëmshëm të RAI-t, kushtuar një të mituri shqiptar në një kamp në Siri. Për fat të keq, ai emision drithërues, sipas gjithë përshtypjeve të marra, unë vetë personalisht nuk e kam ndjekur, ka lënë të kuptohet se çështja e djalit të mitur është një çështje thjesht vullneti nga ana e ambasadës sonë në Turqi, apo nga ana e ambasadorit. Kjo është tërësisht e pavërtetë.

E vërteta është që prej disa kohësh, unë kam nxjerrë një Urdhër, është një material i klasifikuar që nuk mund ta ndajmë dot me publikun për shkak të sensibilitet të lartë, lidhur me personat, familjet, individët, që gjenden në atë territor si pasojë e përfshirjes së burrave në një luftë për të tjerë, në funksion të organizatës terroriste e kriminale të ISIS-it.

Shqetësimi ynë ka lidhur me nevojën për të aksesuar pikërisht këto kampe, ku ka një numër grash dhe fëmijësh. Në bashkëpunim me partnerët amerikanë, ne kemi zhvilluar një proces të tërë identifikimi. Disponojmë të dhëna mbi identiteti e shumë prej personave, por, e përsëris, janë të dhëna shumë sensitive për shkak se ata njerëz janë të rrezikuar në jetën e tyre në mënyrë të përditshme. Tërheqja e tyre në ato kampe nuk bëhet as me ambasada e as me ambasadorë, sepse aksesi dhe i gjithë procesi është tejet i komplikuar dhe kërkon një koordinim me partnerët. Ne kemi punuar intensivisht. Kemi një plan të tërë veprimi, të rakorduar me partnerët tanë kryesorë. Ka një sërë grupesh të përfshira në këtë proces.

Nuk mund të ndajë më shumë informacion, por thjesht dua t’iu them të gjithëve që po të ishte një çështje ambasadash apo ambasadorësh, edhe vendet e tjera do të kishin tërhequr individët, në radhë të parë, gratë dhe fëmijët që janë viktima të drejtpërdrejta të zgjedhjeve të gabuara të prindërve apo të të afërmve. Për këtë arsye janë të përfshirë në një situatë dramatikë që nuk është zgjedhja e tyre.

Kam komunikuar dhe me të afërmit, edhe babanë e djalit dhe ia kam sqaruar se kjo është një çështje që nuk varet nga ne. Nuk është çështje e strukturave tona diplomatike, sepse nuk bëhet fjalë për kampe refugjatësh të zakonshme.

Natyrisht që gazetarët mund të hyjnë në këto kampe, sikundër gazetarë e kolegë tuaj të shumë kanaleve të njohura botërisht kanë shkuar dhe kanë arritur të filmojnë deri dhe brenda trupave të ISIS-it, por nuk është e njëjta gjë, përkundrazi është komplet gjë tjetër, për të shkuar dhe për të zhvilluar një operacion tërheqjeje të personave që duhen liruar nga ajo situatë.

Duke shprehur gjithë keqardhjen, dëshiroj ta ndaj me të tërë se e vërteta është kjo dhe së fundmi, situata është edhe më e komplikuar, për shkak se ju e dini që në atë territor ka një situatë përplasjeje luftarake. Ne do të vazhdojmë të bëjmë punën që kemi bërë dhe siç ju thashë, jemi në koordinim të plotë me partnerët. Ju e patë, besoj, edhe një thirrje që Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ua bëri vendeve europiane për të tërhequr njerëzit, që do të thotë se asnjë vend deri më sot, përfshirë edhe Italinë fqinjët ku është transmetuar ky emision dramatik, nuk ka bërë tërheqjen e njerëzve, sepse është një operacion vërtetë i komplikuar.

Sidoqoftë, fokusi ynë ka qenë qysh në fillim dhe mbetet tek gratë dhe të miturit dhe në bashkëpunim me partnerët, Shtetet e Bashkuara dhe edhe me autoritetet turke, ne kemi arritur që të grumbullojmë jo pak informacion. Kemi arritur të organizojmë kontakte dhe ka një plan për nxjerrjen e tyre nga kampet, si dhe është përgatitur gjithë infrastruktura e nevojshme për transportimin e tyre. Po ashtu një plan specifik masash për trajtimin e tyre pastaj, këtu në Shqipërisë. Por kini parasysh që është një zonë ku nuk ka autoritete, prandaj edhe kontaktet janë të ndërmjetme. Transferimi i tyre në kampe me struktura të specializuara është hapi i parë, për të bërë pastaj transferimin përfundimtar.

Besoj që ky shpjegim është i mjaftueshëm, për të nënvizuar faktin se informacioni i dhënë, apo i nënkuptuar, – se unë vetë nuk kam patur mundësi ta shoh emision, – sikur kjo është një çështje vullneti dhe thjesht vënie në veprim nga ana e ambasadës, nuk është e vërtetë, nuk qëndron.