Transmetuar më 18-10-2019, 19:53

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte tha se Shqipëria ka bërë progres të pamjaftueshëm, por Kryeministri Edi Rama replikoi duke ngritur pyetjen, se çfarë nuk kemi bërë mjaftueshëm?

“Dëgjova Kryeministrin e Holandës që thotë se nuk është bërë mjaftueshëm. Mjaftueshëm në raport me çfarë? Nëse e konsiderojmë progresin në lidhje me gatishmërinë për t’u bërë pjesë e BE-së është i pamjaftueshëm, por nëse krahasojmë me çfarë na është kërkuar dhe çfarë kemi bërë është shumë", tha Rama duke shtuar se "shtimi i bishtave nuk është korrekt".

Më tej ai shtoi: "Mbrëmë cilindo nga vendet që ka hyrë në BE të ishte në vendin tonë nuk e merrte PO-në, pasi tema ishte gjetkë, çfarë do të bëjmë me shtëpinë tonë".

Pas shënjestrimit të Holandës, Rama iu kthye dhe Makronit:

"Presidenti i Francës ishte brutalisht i hapur me atë që tha, më i hapur se çdo herë tjetër në publik. Vuri në pikëpyetje ndryshimin e procesit të negociatave sipas tij për ta bërë më efektiv për BE-në, e quajti ultra burokratik dhe kërkon një ndryshim. Po ku hyjmë ne këtu në këtë mes”, u shpreh Kryeministri.

Deklarata e plotë mbi këtë argument 

Dëgjova Kryeministrin   e Holandës. Ai tha se Shqipëria ka bërë progres të madh, por nuk ka bërë mjaftueshëm. Mjaftueshëm në raport me çfarë? Sepse, nëse e konsiderojmë progresin, si një progres lidhur me gatishmërinë e Shqipërisë për t’u bërë anëtare e Bashkimit Europian, patjetër që është krejt i pamjaftueshëm. Por, nëse e krahasojmë me çfarë na është kërkuar në radhë të parë dhe çfarë kemi bërë, me çfarë u është kërkuar dhe çfarë kanë bërë vendet e tjera që sot janë në Bashkimin Europian, në kohën kur negocionin përpara nesh, është shumë më tepër sesa ato, jo sepse ne jemi më të zotë, por sepse procesi ka ardhur duke u bërë gjithmonë e më i vështirë, gjithmonë e më kërkues. E nëse ne e bëjmë këtë, nuk kemi asnjë pendesë, sepse e bëjmë për veten tonë. Do vazhdojmë të bëjmë edhe më shumë, sepse  na duhet për vendin tonë. Por, në momentin kur i ke vënë barrikadën procesit, duke ngritur çështjen e funksionimit të Bashkimit Europian dhe duke ngritur shqetësimin se kështu nuk vazhdohet më, shtimi i bishtave nuk është korrekt.

Mbrëmë, cilido nga vendet që kanë hyrë në Bashkimin Europian mbas rënies  së komunizmit të ishte në vendin tonë, nuk e merrte “PO”-në. Sepse tema ishte gjetkë, çfarë do të bëjmë me shtëpinë tonë, me rregullat, me mënyrën e funksionit etj.. Presidenti i Francës në konferencë ishte brutalisht i hapur në atë që tha. Ka qenë më i hapur sesa çdo herë tjetër në publik, ndërkohë që janë tema që në takime, ai i trajton rregullisht. Vuri në pikëpyetje gjithë metodologjinë  e negociatave, vuri në pikëpyetje gjithë procesin, duke kërkuar ndryshimin e këtij procesi, jo duke kërkuar që të përjashtohemi ne nga Europa. Por duke kërkuar ndryshimin e këtij procesi, sipas tij, për ta bërë më efektiv për Bashkimin Europian dhe për vetë vendet që negociojnë. E quajti një proces ultraburokratik dhe kërkon një ndryshim metodologjie. Është absolutisht në të drejtën e tij dhe nuk është se mund të thuash që e ka gabim për atë se si e shtron dhe për qëllimet që ka.

Po ku hyjmë ne në këtë mes?

Rama: Kërkova të na thonë nëse kanë në plan të mbyllin zgjerimin!

Kryeministri Edi Rama tha gjatë konferencës për shtyp pas “Jo”-së për hapjen e negociatave, se “kërkova të njoftonin nëse kanë në plan të mbyllin zgjerimin”.

“Në fjalën e saj, kryeministria e Danimarkës ka qenë e drejtpërdrejtë dhe e thjeshtë. “Nuk jemi të gatshëm për një raund tjetër zgjerimi”. Sot, për herë të parë e dëgjova nga Presidenti i Francës në një pasazh që ne nuk po kërkojmë të bëhemi anëtarë të BE sot, po kërkojmë të hymë në një fazë tjetër të procesit, ku transferohet dija e BE lidhur me të gjithë ato kapituj që ka negocimi. Asnjëherë nuk kam dashur ta pranoj që të flitet me këtë lidhje të shkurtër. Sot, Presidenti i Francës e tha se çelja e negociatave nuk është anëtarësim. Unë kam një bisedë me të dhe aty ndoshta do të kuptohet se çfarë vjen mbrapa. Në fjalën time kam thënë se nëse duan të mbyllin këtë proces ta thonë. Prit se kemi zgjedhjet evropiane dhe nuk e duam Shqipërinë të na futet në debatin elektoral. Tani si mund të jetë ky proces i lidhur, por nuk ke çfarë i bën”, tha Rama.