Transmetuar më 09-10-2019, 13:08

Kryeministri Edi Rama ka lëshuar sërish akuza të forta në adresë të prokurorit të Durrësit dhe gjykatëses atje, duke i kërkuar Kuvendit, reagim me forcë ndaj këtyre prokurorëve, qe i ka etiketuar si pjesë e grupit me te madh kriminal ne vend, “KÇK”, ose kap ca të kapësh.

“I them parlamentit se ka ardhur koha që të reagojmë me forcë ndaj prokurorëve dhe gjykatësve që nuk e kanë kaluar vetingun e dinë që nuk e kalojnë dhe kanë nxjerrë dhe një togfjalësh mes tyre, KÇK, kap ca të kapësh. Këtë grupim KÇK ky parlament duhet ta shpalli grup në kërkim, jo metaforikisht, e them në mënyrë të drejtëpërdrejtë”- tha Rama.

Më tej Rama tha se Kuvendi duhet të shpallë në kërkim grupin e prokurorëve dhe gjykatësve KÇK (kap ça të kapësh). “Këtë grup ky parlament duhet ta shpallë në kërkim me çdo mënyrë, duke ushtruar pushtetin e sovranit këtu. Është e kotë ti bëjmë njëri-tjetrit predikime dhe nga tryezat e opozitës të ngrihemi dhe të fajësojmë qeverinë këtu, apo nga tryeza e qeverisë të ngrihemi këtu dhe të justifikojmë. Vetingu kërkon disa vjet dhe nuk mund të durojmë që prokuror dhe gjykatës si ato të Durrësit të bëjnë kërdinë. Ka njerëz që po çapërlohen në prokurori dhe gjykata”, tha ai.

KÇK, sipas kryeministrit Rama eshte grupi me i madh kriminal ne vend. “KÇK është grupi më i madh kriminal në Shqipëri, sot me fakte, prokurorë e gjykatës që e dinë se vetingun se kalojnë dot. Si mundet një prokuror të regjistroje tokë të dhuruar në emër të gruas, që paska qenë asistente a avokate e dikujt dhe ky dikushi regjistron tokën 500 metra dhe dhuron 50 mijë metra? E keni parë ndonjëherë që dhuruesi të dhurojë 100 fishin e gjësë që ka? Keni ju ndonjë krushk, ndonjë vjehrrë, ndonjë kunat kaq zemërgjerë sa tju dhurojë 100 fishin e asaj që ka?”, shtoi Rama.

Ndersa fliste, Rama eshte nderprere nga deputeti i Ballit Kombetar, per te cilin e ka pasur ne cast nje replike: “E prisja ndërhyrjen e Ballit Kombëtar por po flasim këtu për krime jo për pula, megjithëse jam dakord që të flasim edhe për pula. S’e ngrita këtu t’ju kërkoj ndihmë, por tju them që ky parlament duhet të reagojë ndaj këtyre dy kategorive, në kushtet kur sot jemi në një proces tranzicioni të sistemit të drejtësisë, që në fund do jetë i mjaftueshëm por deri atëherë nuk ka garanci për asnjë, për asnjë, për asnjë. Këtë garanci do e japë ky parlament”, tha Rama./b.l/noa.al/