Transmetuar më 07-10-2019, 14:28

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, që pas shkarkimit nga detyra, ndonëse mbetet ende pjesë e PS-së, është shfaqur shpesh kritik ndaj mënyrës së qeverisjes.

Madje ka pasur edhe zëra se ai mund t’i bashkohet projektit të Lëvizjes Vetëvendosje, parti e cila pas 12 vite në Opozitë fitoi zgjedhjet e parakohshme Parlamentare në Kosovë.

"Erdhi dita, beso!", tha Bushati, në mesazhin e tij, duke i uruar kështu përmes sloganeve të tyre, të dy liderët e që fituan zgjedhjet e fundit në Kosovë, Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin.

"Kosova përqafoi ndryshimin. Sovrani i dha një mandat të qartë Albin Kurtit dhe Lëvizjes VETËVENDOSJA (duke e renditur atë të parin), dhe Vjosa Osmanit të LDK", tha Bushati.

"Albini dhe Vjosa i dhanë oksigjen Kosovës në opozitë duke demonstruar konsistencë e pathyeshmëri e duke mos u bërë palë me veset e jetës politike që dobësojnë idealin e jetës demokratike", shtoi më tej ish-ministri i Europës dhe Punëve të Jashtme për Shqipërinë.

Partia e drejtuar nga Albin Kurti ka një degë në Tiranë dhe ka shprehu ambicjet për të shtrirë aktivitetin në të ardhmen edhe në Shqipëri. Kujtojmë se Albin Kurti, që kur Kosova fiton Pavarësinë e deri mbrëmjen e djeshme, kur ai fitoi zgjedhjet, i ka refuzuar simbolet e shtetit të tij, duke besuar se simbolet Kombëtare, himni, flamuri dhe gjuha janë të shenjtë, aq sa nuk mund të ndërrohen me simbole që janë fituar me "tender".

Pavarësisht idesë që ka Albin Kurti, për bashkimin e pandalshëm, siç thotë ai të kombit tonë, në të ardhmen, Ditmir Bushati ka vlerësuar me nota maksimale frymën që ai përcolli ndaj së vjetrës, duke sulmuar indirekt edhe klasën politike në vendin tonë, apo ndonjë politikan të veçantë, kur thotë se " Kosova, një dekadë shtet, na dha mësime të vlefshme, edhe pse ne e kemi lënë pas një shekull shtet. Në demokraci zgjedhjet janë garë vlerash dhe jo të fortësh."

"Është kjo arsyeja që sot ato shihen si projekt shprese për të gjithë shqiptarët në rajon, duke na dëshmuar se mund të triumfohet mbi rrënojat e së vjetrës", shprehet më tej Bushati.

"Tanimë Albini dhe Vjosa janë përpara një përgjegjësie historike për ta drejtuar Kosovën me dinjitet, dashuri e përkushtim drejt sfidave të shtetkonsolidimit demokratik dhe partneritetit me botën demokratike".

"Ata kanë përgjegjësinë për të jetësuar besimin e qytetarëve të Kosovës duke sjellë një standard të ri qeverisës shumë të dëshiruar për gjeneratën e Kosovës Evropiane, që e sheh të ardhmen e saj brenda vendit".

"Përtej fitores së Albinit dhe Vjosës, në Kosovë, mbi të gjitha, fitoi standardi dhe kultura demokratike. Procesi zgjedhor, bazuar në një sistem që kombinon disiplinën partiake me mundësinë që ka çdo qytetar për të renditur kandidatët për deputetë sipas preferencës së tij, sikundër mënyra, korrektesa dhe shpejtësia me të cilën u numërua vota e qytetarëve, ishte një leksion më vete për ne".

"Partitë politike i nënshtrohen konfirmimit të vendimeve nga populli, ku qytetarët kanë mundësi të rendisin të preferuarit e tyre në listat e kandidatëve për deputetë, çka forcon kontrollin demokratik ndaj vendimmarrjes".

Urime Albin! Urime Vjosa! Urime Kosova! Erdhi dita, beso!", mbyll reagimin e tij Ditmir Bushati.  /NOA.al