Transmetuar më 07-10-2019, 12:05

Kryeministri Edi Rama ka folur sërish për prokurorin e Durrësit, Arian Ndoja, për të cilin hodhi akuza të forta nga foltorja e Kuvendit, teksa tha se bashkëpunon me bandat kriminale dhe ushtron presion e shantazh mbi zyrtarët e administratës.

Gjatë takimit të përjavshëm me “platformën bashkëqeverisëse”, kreu i qeverisë ka paralajmëruar prokurorin Ndoja se nuk do t’i shpëtojë ndëshkimit, dhe se bashkë me prokurorët e gjyqtarët e tjerë të korruptuar, do të japin llogari për pasurinë e tyre.

“Ju e patë vetë javën e kaluar një rast flagrant i shkeljes së ligjit dhe jo vetëm por edhe i transformimit të një figure të sistemit të drejtësisë të përfaqësues të interesave të krimit ku sigurisht nuk do i shpëtojë ndëshkimit, por kur vjen puna te ndërhyrja në proces është e pamundur për qeverinë dhe pushtetin ekzekutiv. Se kushtetuta përcakton qartë kufizimet që ne kemi, pavarësisht se mund të jetë e drejtë ajo që qytetari kërkon pas një padrejtësie në dyert e gjykatave.

Pastrimi i llumit nga sistemi i drejtësisë ka edhe një efekt negativ të përkohshëm por të rëndë për qytetarët, pasi shumë prokurorë dhe gjykatës të zhytur deri në fund dhe e dinë se nuk do e kalojnë po e shfrytëzojë duke thënë ‘të kapim cfarë të kapim’. Sistemi i ri i drejtësisë kërkon kohë, ndërsa vettingu do ta pastrojë dhe sistemi do të ndëshkojnë ata që janë nxjerrë”, u shpreh Rama.

Ndër të tjera, kryeministri ka deklaruar se asnjë prokuror dhe gjyqtar nuk do t’i shpëtojë dot paratë e zeza të krimit dhe shpërblimet e majme të përfituara nga organizatat kriminale, edhe pasi Vettingu i përjashton. Sipas Ramës, të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët, që shkarkohen nga Vettingu, do të rikthehen për të dhënë llogari.

“Më vjen mirë që është kthyer në kusht nga BE dhe të jenë të sigurt që do të rikthehen për të dhënë llogari për pasuritë e tyre dhe ata që bëjnë krime ndaj qytetarëve për të përfituar para të zezë për të marrë ‘rroga’, shpërblime nga organizata kriminale, drejtësia mbi ta mund të vonojë edhe ca, por nuk do të harrojë. Ka arritur në 793 numri i masave ndëshkimore falë hetimeve administrative nga platforma. 46 masa në proces për nëpunës, shefa apo drejtues zyrash. Atyre që i bien shkurt dhe thonë se kështu duhet të funksionojë shteti duke shkuar deri te qeveria, u them se kështu funksionon kudo edhe në shtetet më të zhvilluara”, tha Rama./b.l/noa.al/