Transmetuar më 01-10-2019, 10:07

Një operacion i policisë së Durrësit i koduar “Siguracioni”, pas një hetimi dymujor mbi bazën e denoncimeve të shumta të qytetarëve, që kishin rënë pre e mashtrimit në Portin e Barit, Itali, ka goditur një rast të falsifikimit të siguracionit të automjeteve.

Më konkretisht janë dokumentuar 13 raste të mashtrimit me Policë Sigurimi për automjete të qytetarëve që udhëtonin nga Italia për në Shqipëri.

Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Policinë e Durrës, pas denoncimeve të shumta të qytetarëve që udhëtonin nga Bari, Itali për në Shqipëri me automjete dhe kishin prerë siguracion për automjetet e tyre në portin e Barit, të cilat pas kontrollit nga Policia kishin rezultuar të falsifikuara, referoi materialet në Prokurori dhe regjistroi procedimin penal për zbardhjen e këtyre rasteve.

Pas një hetimi dymujor, në bashkëpunim me Prokurorinë Durrës, u bë finalizimi i operacionit policor “Siguracioni”, si rezultat i të cilit u bë ndalimi i F. B., 21 vjeç, banues në Dibër, për veprat penale “Falsifikimi i letrave me vlerë”, “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”.

Nga hetimet e kryera rezulton se i riu gjatë muajit korrik 2019, në Portin e Barit, Itali, ka falsifikuar 13 Siguracione (TPL), në emër të shoqërive të ndryshme sigurimi, për automjetet që hyjnë në Shqipëri.

Ndërkohë po vazhdon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikua, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd