Transmetuar më 22-09-2019, 10:39

Në takimin e thirrur lidhur me pasojat e tërmeteve, me drejtues të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme, Emergjencës Civile, Rezervës së Shtetit dhe të gjithë prefektët e vendit, Kryeministri Edi Rama vlerësoi punën e bërë për përballimin e situatës.

Ai vlerësoi strukturën e emergjencave civile por edhe çdo strukturë tjetër, për të cilat tha se nuk kanë harruar të informojnë.

Kreu i qeverisë deklaroi se sot është një ditë e vështirë për ata që kanë ndjerë më shumë goditjen, duke nënvizuar është një ditë për të qëndruar afër dhe për t’iu shpjeguar me qetësi gjërat dhe aspekte shumë të thjeshta sepse plasaritjet e godinave jo domosdoshmërisht përbëjnë rrezik.

“Në të shumtën e herës plasaritjet nuk përbëjnë rrezik, ashtu sikundër nuk është çarje pallati, kur në një pallat funksionon fuga sizmike. Është me shumë rëndësi që çdo plasaritje të inspektohet në mënyrë profesionale, sepse mund të jetë reagimi i fugës sizmike që është për atë punë, por mund të jetë edhe një cenim strukturor që e bën të rrezikshëm për më tutje godinën. Të gjithë të spostoheni në Durrës me një synim që çdo familje që hyn në rrethin e parë të stresit dhe që gjatë gjithë natës ka qëndruar jashtë, të kontaktohen, për të dëgjuar dhe për tu dëgjuar”, u shpreh Rama.

Ai iu bëri thirrje të pranishmëve në mbledhjen e sotme, strukturave të Policisë së Shtetit, të pushtetit vendor dhe mirëqenies sociale që të organizohen dhe shpërndahen me destinacione konkrete dhe brenda ditës së sotme para se të vijë nata duhet takuar të gjithë banorët e prekur sy më sy.

Ai tha se do të angazhohen edhe deputetët edhe ministrat, pasi është një moment që kalohet me komunikim sy më sy.

“Mbrëmë jam marrë unë me dritat e stadiumit, njerëzit kishin dalë te zona e stadiumit gjëja më e thjeshtë ishte të hapej stadiumi me drita dhe të mos rrinin në gjysmë errësirë. Stadiumi i Durrësit duhet hapur për të gjithë. Gjëja që dua të shoh pasdite të shoh kush bën çfarë”, deklaroi Kryeministri. /a.y/noa.al

Shënim i NOA:

Nëse ndjeni nevojë për ndihmë, kontaktoni numrat e mëposhtëm, nga çdo telefon fiks ose celular, pa pagesë, edhe nëse nuk keni paketa aktive:

Numrin unik 112 që është për çdo nevojë apo urgjencë. Dhe sipas nevojave specifike:

Numrin unik 112 që është për çdo nevojë apo urgjencë.

Dhe sipas nevojave specifike:

Policia e shtetit ☎ 129.

Zjarrfikesja ☎ 128.

Urgjenca ☎ 127.