Kompania private gjunjëzon drejtoren e ARRSH, jep dorëheqjen
Transmetuar më 19-09-2019, 13:26

Drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato, ka njoftuar dorëheqjen. Ky vendim i saj vjen pasi ajo pak ditë më parë është akuzuar nga një kompani lidhur me një procedurë, të cilën ajo e gjykon plotësisht të drejtë dhe ligjore.

Zonja Qato shprehet se ndjehet “e lënduar nga spekulimet jashtëzakonisht të mëdha në media mbi procedurat e ndjekura në respektim të ligjit dhe dokumentacionin zyrtar”.

Bëhet fjalë për kompaninë “Gjoka Konstruksion” e cila po ndërton me konçesion “Rrugën e Arbërit”.

Kjo kompani ka akuzuar drejtoreshën e Autoritetit Rrugor Shqiptar Sonila Qato se “Ka ndërmarrë një tentative të dëshpëruar” për të shpallur fitues me çdo kusht një bashkim kompanish për të fituar tenderin për ndërtimin e tunelit të rrugës ”Kardhiq-Delvinë lot 7”, një aks rrugor për të cilin investimet janë pezulluar.

“Gjoka Konstruksion” deklaron se ajo është akuzuar padrejtësisht se “ka paraqitur të dhëna fiktive në përpjekje për të fituar tenderin”.

Ajo e akuzon ARRSH ” për prishje të imazhit të kompanisë, me informacione të nxjerra në media të cilat janë të paverteta”. “Jam e keqardhur për gjithë këtë zhurmë dhe e lënduar nga spekulimet jashtëzakonisht të mëdha në media mbi procedurat e ndjekura në respektim të ligjit dhe dokumentacionin zyrtar që ka të bëjë me rastin në fjalë. Por jam edhe në pamundësi normaliteti në një punë që s’ka as orar dhe as ditë pushimi, sepse kërkon angazhim ekstrem mendërisht e fizikisht” shkruan nga ana e saj drejtoreshe e dorëhequr e ARRSH Sonila Qato.

Loading...
Loading...