Kryemadhi uron nxënësit: Politika të reflektojë, jo propagandë me arsimin
Transmetuar më 16-09-2019, 11:28

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka uruar sot gjithë nxënësit që ulen sot në bankat e shkollës dhe nisin vitin e ri shkollor. E ka nisur me një urim bekimi si nënë, e më pas, me një mesazh reflektimi si politikane.

Përmes një mesazhi në ‘Facebook’ Kryemadhi pohoi se politika nuk duhet të bëjë propagandë me arsimin falas. Mes të tjerash Kryemadhi tha se politikanët duhet të punojnë më shumë për një arsim më cilësor.

“Një urim të veçantë për të gjithë nxënësit, që ulen sot në bankat e shkollës. Për ata të shkëlqyerit, që na kanë nderuar me rezultatet e tyre anembanë botës. Për ata, që me sakrificat e mëdha të prindërve të tyre përpiqen çdo ditë të jenë më të mirët.

Për ata nxënës, që sfidojnë varfërinë, mjerimin dhe ndjekin shkollën në kushte të vështira. Për të gjithë ata fëmijë që, çdo mëngjes marrin bekimin dhe urimin e prindërve për të ecur në rrugën e dijes. Qoftë një vit i mbarë për të gjithë nxënësit në mbarë Shqipërinë!

Ky urim është bekimi im si nënë për ju. Ndërsa si politikane më duhet të reflektoj dhe punoj më shumë, që arsimi në Shqipëri të jetë më cilësor, që shkollat, klasat dhe mësuesit të jenë në nivelet që fëmijët meritojnë. Që askush nga politika të mos tallet dhe ta përdorë arsimin falas si mjet të propagandës, por ta bëjë atë të prekshëm për të gjithë familjet shqiptare nga Vermoshi në Konispol”, shktuan Kryemadhi.

Ndërsa shton se, “Ky është dhe do të mbetet misioni im dhe i LSI. Ndaj në këtë ditë, uroj që dhe premtimet tona ndaj jush të dashur nxënës të jenë të qarta dhe të sinqerta, të thjeshta dhe plot me energji. Siç jeni dhe ju, brezi që padyshim do ndërtoni një Shqipëri më të mirë!”/b.l/noa.al/

Loading...
Loading...