Mehmetaj: Parlamenti ilegjitim, LSI do të marrë pjesë në zgjedhje, sipas dekretit të Presidentit
Transmetuar më 14-09-2019, 21:01

Nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Kejdi Mehmetaj është shprehur se në axhendën e opozitës asnjëherë nuk ka qenë qëllimi që të krijohet konflikt civil.

Sipas Mehmetaj protestat e herë pas hershme të opozitës kanë qenë të nevojshme për shkak të krizës në të cilën ndodhej dhe ndodhet Shqipëria, ku ndër të tjera ka theksuar se opozitës nuk i mungon vullneti për të zgjidhur konfliktin, dhe e vetmja menyrë për të dalë nga kjo gjendje janë zgjedhjet e lira.

Ndër të tjera, e ftuar nënkryetarja e Kejdi Mehmeti nga studio e lajmeve në Vizion Plus është shprehur se LSI do të marrë pjesë në këto zgjedhje, nëse këto zgjedhje do të mbahen dhe do të respektohet dekreti i presidentit.

A ka shanse për dialog mes palëve për të mos përfunduar në konflikte të asaj natyre?

Nëse po e nis nga pamjet në radhë të parë, nëse opozita do të kishte pasur ndonjëherë në axhendën e saj për qëllim që ta kthente Shqipërinë pas në ato ditë të errëta të konfliktit civil që vjen si rrjedhojë e një krize politike, këtë do të kishte pasur mundësi ta bënte qysh vitin e kaluar ose po themi sesionin e kaluar parlamentar kur ne vendosëm që të jepnim mandatet dhe të ishim së bashku me qytetarët në rrugë. Por, pikërisht për të evituar ato skena edhe për të evituar një përplasje civile ndërmjet qytetarëve opozita vendosi ta bëjë vetë hapin e madh edhe ekstrem, në një lloj forme të shfrynte pak tensionin e qytetarëve duke u larguar nga Parlamenti edhe duke vendosur që të jetë bashkë me ta për të protestuar.

 Po por ndërkohë keni prodhuar goxha protesta të fuqishme dhe të dhunshme herë pas here?

Nuk besoj, e kemi diskutuar shpesh këtë punën e dhunës nëpër protesta, nuk e di se çfarë mund të quhet dhunë përveç dhunës që është ushtruar ndaj protestuesve sepse isha duke diskutuar përpara disa ditësh me miqtë e mi dhe po thonin e po ndjenim nevojën për tu pastruar nga gazi, helmet edhe dhuna e ushtruar nga policia për aq shumë kohë ndërkohë që qytetarët kanë protestuar. Tani kur ka dëme të mëdha ka edhe qytetarë pak më të revoltuar por ajo nuk është dhunë, dhunë është ajo që ju patë edhe nuk që do ta shikoni në asnjë rast të mbështetet apo të zhvillohet nga opozita.

 Megjithatë protestat e fundit të opozitës ishin paqësore dhe u duk sikur nuk do të kishim më ato pamjet e sulmeve me bomba molotov ndaj Parlamentit apo ndaj selisë së qeverisë. Rikthehemi te pyetja, a ka shanse për dialog sot midis mazhorancës dhe opozitës?

Unë mendoj që gjithmonë ka shanse për zgjidhje edhe pa dyshim që zgjidhja në politikë nuk vjen nëpërmjet armëve, pa dyshim, vjen nëpërmjet protestave, vjen nëpërmjet të gjitha mjeteve demokratike që ne na jep ligji edhe Kushtetuta për të nxitur ndryshimin. Ajo gjithashtu vjen edhe nga komunikimi dhe dialogu por në radhë të parë vjen nga dëshira dhe vullneti i mirë për të gjetur zgjidhje. Opozita e ka thënë prej kohësh që e ka vullnetin e mirë dhe dëshirën për të parë përpara dhe për ta parë Shqipërinë një vend të zhvilluar dhe si rrjedhojë për të zgjidhur konfliktin ku konflikti kryesor është pa dyshim mbajtja e zgjedhjeve të lira e të ndershme pra nuk është vetëm çështje dëshire është çështje dhe pune dhe kontributi dhe ajo që ne kemi qenë duke bërë gjatë gjithë kësaj kohe është po japim kontributin tonë qoftë nëpërmjet programeve të ndryshme që i kemi shtruar në tavolinë dhe nxitjes së zgjidhjes për të marrë pjesë në zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Ja ku e keni reformën zgjedhore elektorale thotë mazhoranca, keni vendin tuaj aty, do keni të drejtën e vetos, Bashkimi Europian kërkoi realizimin e reformës elektorale sa më shpejt, një nga kushtet edhe për hapjen e negociatave. A rrezikon opozita e sotme që të vet përjashtohet edhe nga realizimi i kësaj reforme të rëndësishme?

Reforma shumë e rëndësishme sikur edhe gjëra të vogla teknike të ndryshohen ato janë të rëndësishme për qytetarët shqiptar por ajo që është më e rëndësishme për qytetarët shqiptar nuk është sesi do të jetë sistemi zgjedhor nesër apo sesi do të numërohen votat nesër, këto janë të rëndësishme kur përpara ditës së zgjedhjeve ka një ambient ku qytetarët mund të votojnë të lirë dhe të papresionuar. Për aq kohë sa politika sot bëhet nga të fortët, nga kriminelët nga presioni i administratës publike nga presioni që u ushtrohet qytetarëve nëpërmjet blerjes së votës dhe kështu me radhë asnjë lloj sistemi apo ndërhyrje në numërime, votime kështu me radhë nuk do ta ndryshonte situatën.

Pra para se të realizohet kjo reformë çfarë kërkoni?

Pika kryesore e reformës do të duhet të jetë patjetër zgjidhja për mos ndërhyrjen në procesin zgjedhor të eksponentëve kriminal, të të fortëve, të parave edhe mbi të gjitha të presionit të administratës publike që vjen si rrjedhojë e ndërhyrjes së qeverisë. Kjo është pika kryesore dhe unë gjykoj që nuk ka asnjë formë sesi opozita të vetë përjashtohet apo përjashtohet nga ky proces, për aq kohë sa opozita së bashku me qytetarët janë aktorët kryesorë që po kërkojnë ndryshime.

Po por mazhoranca mund ta miratojë këtë reformë me votat e opozitës që ndodhet në parlament?

Me çfarë votash dhe të kujt parlamenti. Po flasim për një parlament i cili është ilegjitim.

Thoni ju, por ai vazhdon dhe funksionon…

Jo këtë nuk po e them unë, këtë e thotë kushtetuta, kushtetuta nuk është objekt interpretimi për aq kohë sa shkruhet e zeza mbi të bardhën.

Po, por çështja mbetet e hapur për aq kohë sa nuk kemi gjykatë kushtetuese…

Dhe prandaj ne kemi insistuar që reforma në drejtësi të bëhet ashtu siç u ra në konsensus në 2016 dhe u miratua me 140 vota në Parlament e pakapur nga askush dhe e pa mbajtur peng nga askush. Ku ne sot do të kishim një Gjykatë Kushtetuese e cila do të ndante si thuhet në gjuhën popullore  shapin nga sheqeri, qoftë sa i takon ditës së zgjedhjeve që sipas dekretit të Presidentit  do duhet të mbahen më datë 13 tetor, qoftë sa i takon të qenurit apo jo legjitim i një Parlamenti qe përveç se nuk ka 140 mandate, nuk ka respektuar asnjë nen të Kushtetutës.

LSI a do të marrë pjesë në zgjedhjet e 13 tetorit?

Padyshim që LSI do të marrë pjesë në këto zgjedhje, nëse këto zgjedhje do të mbahen. Po e rikujtoj dhe njëherë sepse kanë qenë ditët e gushtit dhe ndoshta një pjesë e shqiptarëve kanë qenë më pushime dhe jo të vëmendshëm por LSI ka shkuar  pranë KQZ, jo për tu regjistruar por për te kërkuar fillimin e procedurave për mbajtjen e zgjedhjeve legjitime sipas dekretit të Presidentit.  Ne do të marrim pjesë në zgjedhje kurdo këto zgjedhje të mbahen sipas ligjeve, që d.m.th sipas dekretit të Presidentit.

Si e gjykon LSI  nisëm për shkarkimin e Presidentit Meta duke pasur parasysh që Presidenti vjen nga radhët e LSI?

LSI në këtë pozicion ka një qëndrim i cili nuk varet me të qenurit Presidenti Meta, ish-Kryetar i LSI por me qëndrimet që Presidenti i Republikës së Shqipërisë mban në situata të caktuara. Është në të drejtën Kushtetuese të Presidentit që  të unifikojë popullin, të bëj të pamundurën dhe çdo gjë që është në dorën e tij që të evitojë kriza, konflikte të rënda dhe mbi të gjitha që të mos përsëriten ato ngjarje të rënda që sapo patë ju dhe mbi të gjitha është sipas Kushtetutës, në kompetencën vetëm dhe vetëm të Presidentit të vendosë me një dekret mbi datën e zgjedhjeve. Ndaj e gjithë kjo procedurë që po mbahet në Parlament, në një Parlament ilegjitim është po ashtu ilegjitime dhe këtë mund ta shihnim dhe në komisionin ose dëgjesën që u bë me presidentin ku më shumë u tha faleminderit i nderuar President sesa ndonjë kundërshtim./a.m/NOA.al

Loading...
Loading...