“S’ka marrëveshje me Ramën”, Kryemadhi rrëfen çfarë i tha Fuga në drekën me Metën dhe Ardit Gjebrenë
Transmetuar më 13-09-2019, 21:29

Një bisedë shkëputur nga dreka me Ilir Metën, Endri Fugën dhe Ardit Gjebrean ka rrëfyer kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.

Kryemadhi ka treguar se çfarë i ka thënë Endri Fuga, sot këshilltar i kryeministrit Rama, në një moment kur Meta është çuar nga tavolina. Ajo ishte e ftuar sot në studion e RTV Ora.

"Para shumë vitesh kemi qenë në një drekë me Endri Fugën dhe Ardit Gjebrenë, në Ibë tek Amfiteatri i Gëzim Kames."

"Kemi qenë duke ngrënë një drekë dhe në një moment Ilir Meta çohet nga tavolina dhe Endri Fuga më pyet mua dhe më thotë: E çuditshme, Edi Rama sillet në media siç sillet Ilir Meta në jetën e përditshme dhe Ilir Meta në jetën e përditshme është siç është Edi Rama në media."

"Dhe në media është siç është Edi Rama në jetën e përditshme. Pra atë njeriun e ngurtë që qytetarët shqiptarë kanë parë Ilir Metën kur ka qenë kryeministër, kryetar parlamenti, në pozicione politike, në jetën e përditshme është krejt tjetër."

Monika Kryemadhi, ashtu si kryetari i PD-së Lulzim Basha, si dhe ish-kryeministri Sali Berisha, përjashtoi një marrëveshje të mundshme me kryeministrin Edi Rama për zgjidhjen e krizës politike.

Ajo tha se nuk mund të ulet dhe të diskutojë me veglën në dorë të krimit të organizuar.

"Kemi thënë të gjithë që nuk ka marrëveshje me Ramën. Zgjedhje të lira dhe të ndershme, vetëm kjo i vë kapakun çdo gjëje, çdo lloj shkatërrimi dhe destrukturimi të institucioneve që ka sjellë sot Rama", theksoi kryemadhi.

"A hyri vetëm në zgjedhjet e 30 qershorit? Çfarë i kushtonte të zgjidhte njerëzit më të mirë që ka Shqipëria? Ky edhe i vetëm, me komisionerët e vet, pa kandidatë alternativ, vuri prapë kriminelët", shtoi më tej kryetarja e LSI, e cila më tej argumentoi se përse nuk mund të ketë dialog me Ramën.

"Ky është i kapur peng. SHBA negocion të bëjë marrëveshje me terroristët dhe kriminelët? Gjermania bën marrëveshje me terroristët dhe kriminelët? Ti më thua të ulem dhe negocioj me krimin e organizuar, se mos më kërkove të negocioj me Ditmir Bushatin, Musa Ulqinin, Pandeli Majkon, Servet Pëllumbin, njerëz të cilët përfaqësojnë vërtet PS. Më kërkon të negocioj me veglën në dorë të krimit të organizuar. Jo!", u shpreh Monika Kryemadhi./a.m/NOA.al

Loading...
Loading...