Transmetuar më 13-09-2019, 11:04
Automatiku i sekuestruar

Një person është vënë në prangat e policisë së Tiranës, i kapur me automatik kallashnikov, në kuadër të operacionit të koduar “Shinat”.

Efektivët e policisë të komisariatit Nr. 5, në sajë të informacioneve të dhëna nga qytetarët, arrestuan pasditen e djeshme, 31-vjeçarin E. K., banues në Kamzë.

Kjo pasi uniformat blu kanë marrë informacion nga qytetarët se i riu në gomisterinë e tij mbante armë.

Kështu në zonën e Fushë-Mëzezit, gjatë kontrollit të gomisterisë së 31-vjeçarit shërbimet e policisë kanë gjetur një armë zjarri kallashnikov, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprime të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i të dyshuarit për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës. /a.y/noa.al