Transmetuar më 12-09-2019, 19:34

Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi priti në takim Ambasadorin e ri të Republikës Federale të Gjermanisë, Peter Zingraf.

Në bisedën me ambasadorin e ri gjerman, ndërsa i ka uruar mirëseardhjen, Kryemadhi ka nënvizuar nevojën e vendit për të tejkaluar sa më parë krizën aktuale, për t’i hapur rrugë integrimit të vendit në BE.

“Të majtë e të djathtë duan që Shqipëria të jetë pjesë e Bashkimit Europian. Integrimi në BE është i rëndësishëm për familjet shqiptare, pasi do të shtojë mundësitë për punësim të mirë paguar, do të rrisë cilësinë në arsimim dhe shëndetësi, e do të përmirësojë standartet e jetesës në Shqipëri. LSI ka objektiv të saj Integrimin e Shqipërisë në BE”, tha Kryetarja e LSI.

Kryetarja e LSI vlerësoi kontributin e qeverisë Gjermane për hartimin e Reformës në Drejtësi, ndërsa shprehu bindjen për nevojën e zbatimit të reformës në drejtësi ashtu siç është shkruar në Kushtetutë

“Pa sistem drejtësie të pavarur, nuk ka investime të huaja. Pa investime të huaja, nuk ka punësim. Pa mundësi punësimi, nuk ka të ardhme për rininë e cila po largohet nga vendi duke emigruar dita-ditës.

Ndaj LSI kërkon që Reforma në Drejtësi të vazhdojë përpara me integritet ashtu siç është shkruar në Kushtetutë, e cila është miratuar unanimisht nga 140 përfaqësuesit e popullit në Kuvend”, u shpreh Kryemadhi.