Transmetuar më 12-09-2019, 14:15

Ish-kryeministri Sali Berisha pasi mori pjesë në homazhet e përkujtimit të 21 vjetorit të vdekjes së ish-deputetit të PD-së Azem Hajdari, i ka kushtuar një mesazh këtij të fundit. Përmes një postimi në ‘Facebook’ Berisha shkruan se falanga të zyrtareve kriminel me uniformën e oficerëve të lartë të policisë ekzekutuan para selisë së PD tribunin e lirisë të shqiptarëve.

“Azem ti je gjallë! Të dashur miq, si sot 21 vjet më parë Shqipëria përjetoi vrasjen e shekullit. Fallanga të zyrtarëve kriminel me uniformën e oficerëve të lartë të policisë ekzekutuan para selisë së PD, sipas një skenari politik, tribunin e lirisë të shqiptarëve, prijësin e Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, themeluesin e pluralizmit politik dhe Partisë Demokratike, kryetarin e parë të saj, Azem Hajdari!”, shkruan Berisha.

Më tej ai shton se, “Ata, që në një akt hakmarrje të verbër ndaj tij për sistemin e baballarëve xhelat dhe mizor që ai përmbysi, kryen më 12 shtator të vitit 1998 vrasjen e shekullit kanë marrë dhe do marrin gjithmonë për aktin e tyre makabër ndëshkimin e historisë Kurse kujtimi dhe vepra e pavdekshme e Azem Hajdarit, legjendës së trimerisë dhe guximit mbinjerëzor të të riut shqiptar bëhet çdo ditë, javë, muaj dhe vit që kalon, më e ndritur dhe më madhështore”.

Sipas Berishës, “Sot mirënjohja më e thellë që mund të shprehet dhe nderimi më i madh që mund ti bëhet Azem Hajdarit, Liderit të Revolucionit Demokratik të Dhjetarit 1990, i cili së bashku me shokët dhe shoqet e tij studente u përballë dhe përmbysi në dhjetor të vitit 1990 sistemin më monist të planetit, ështe të ngrihemi në lartesinë e guximit epik të tij dhe të hedhim në koshin e plehrave të historisë narkoshtetin dhe rregjimin e kakistokracisë të Edvin Mafisë dhe klikës së tij kriminale. Azem ti je gjallë!”./b.l/noa.al/