Shqipëri-Islandë/ Policia blindon “Elbasan Arena”, bllokim rrugësh e mbyllje lokalesh
Transmetuar më 10-09-2019, 11:46

Policia e Elbasanit ka ndërmarrë një plan masash për ndeshjen, që do të luhet mbrëmjen e sotme, në stadiumin “Elbasan Arena”, mes Shqipërisë dhe Islandës.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan ka marrë një sërë masash organizative në drejtim të sigurimit të rendit dhe qetësisë publike, për mbarëvajtjen e ndeshjes ndërkombëtare të futbollit ndërmjet ekipeve përfaqësuese të Shqipërisë dhe Islandës, që do të zhvillohet më datë 10.09.2019, në orën 20:45, në stadiumin “Elbasan Arena”.

Për mbarëvajtjen e kësaj ndeshjeje do të angazhohen 215 forca të Policisë së Rendit, Qarkullimit, Shqiponjat, FNSH-ja dhe Policia Kriminale.

Do ketë bllokim të aksit në drejtim të stadiumit duke filluar nga ora 18:00 e datës 10.09.2019, deri në përfundim të aktivitetit sportiv, si dhe do mbyllen lokalet rreth stadiumit.

Të gjithë tifozët do të kontrollohen në hyrje të stadiumit nga forcat e Policisë dhe nuk do të lejohet futja e sendeve të forta, shisheve me tapë, çelësave, monedhave apo metaleve (të çfarëdo lloji).

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan i kërkon qytetarëve që të minimizojnë lëvizjen me automjete në akset që të çojnë drejt stadiumit, çka do të sillte një ndihmesë në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti. Policia falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe mediat për bashkëpunimin./b.l/noa.al/

Loading...
Loading...