Transmetuar më 09-09-2019, 11:47

Ish-ministri i Drejtësisë dhe juristi i njohur, Ylli Manjani, ka dalë kundër raportimit të Presidentit Meta në komisionin hetimor të ngritur nga mazhoranca në parlament për shkarkimin e tij.

Përmes një postimi në ‘Facebook’ Manjani tha se Meta nuk duhet të ishte i pranishëm në atë komision, duke sjellë në vëmendje nenin 162. Ai tha se në këtë komision mund të shkojnë kryeministri dhe kryetari i Kuvendit, por jo presidenti.

“Për të gjithë ata që më pyetën “mbi ç’ligj Presidenti i Republikës nuk duhet të shkojë tek Komisioni Hetimor”,po ju sjell në vemendje nenin 162 të Kodit të Procedurës Penale. Nenet e këtij Kodi janë të zbatueshme edhe për procedurat hetimore parlamentare. Dhe kur Prokurori i shtetit e ka detyrë ti shkojë në zyrë Presidentit të Republikës, Ulsiu po e po!

Si Çeço madje. Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit mund edhe të shkojnë, Presidenti JO! Ky është një nen që ka të bëjë me dinjitetin e funksionit Publik dhe jo domosdoshmërisht të personave që e kryejnë arë funksion.

Në fund ai nuk ka kursyer as ironitë duke e cilësuar mbledhjen e komisionit ‘gjellë qensh’. “Nuk mund të shkalafatet Presidenti i Republikës nëpër qorrollepsje politike parlamentare. Presidenti është zyrtari që ka në dorë të kufizojë Parlamentin nëpërmjet të drejtës së vetos.

Ka të drejtë edhe ta shpërndajë Parlamentin, në rrethana të caktuara. Ndaj them që është gabim vatja e Presidentit aty, në atë gjellë qensh. (Ndjesë qenve)”./b.l/noa.al/