Pas meshës për Nënë Terezën, Meta: Na duhet dashuri që Shqipëria mos shpopullohet
Transmetuar më 05-09-2019, 12:00

Teksa sot ka zgjedhur që të marrë pjesë në meshën e organizuar në Bizë (Ishëm) me rastin e festës së shenjtërimit të Nënë Terezës, presidenti Ilir Meta vjen me një mesazh për politikën.

Përmes një postimi në ‘Facebook’ ku shfaqet me Padre Serxhion dhe një grup fëmijësh dhe prindërit, Meta ka një kërkesë, ku thelbi ngelet dashuria. Sipas Metës, nevoja për këtë komunitet është një kopsht i ri.

“Fëmijët e Bizës dhe prindërit e tyre kërkojnë një kopsht të ri. Unë besoj se me pak dashuri në veprim do ta kenë. Por ata nuk janë të vetmit të cilët kanë këtë kërkesë.

Ndaj na duhet shumë dashuri në veprim, që këto zona të mrekullueshme të mos shpopullohen më”, shkruan kreu i shtetit.

Më herët Presidenti dha një mesazh me rastin ditës së shenjtërimit të Nënë Terezës. Sipas tij, është dita e përkujtimit dhe respektit ndaj veprës së ndritur dhe të paharruar, humane e hyjnore, të simbolit të nënës shqiptare, shembullit të jashtëzakonshëm të dashurisë dhe misionit të pareshtur të përkujdesjes, ndaj kujtdo që vuan dhe ka aq shumë nevojë për ndihmë, solidaritet dhe përfshirje sociale./b.l/noa.al/

Loading...
Loading...