Fluks te Infektivi i QSUT, Mjeku: Pacientët vijnë në urgjencë pa kaluar nga mjeku i familjes
Transmetuar më 02-09-2019, 13:59

Infektivi i Qendrës Spitalore Universitare në Tiranë po përballet me një flusk tejet të madh pacientësh. Mjeku Tritan Kalo në një prononcim për median tregon se me këtë fluks po shfrytëzohen tej kapacitetit personeli mjekësor.

“Kemi një shtim të tejskajshëm të fluksit të urgjencave në spitalin infektiv. Vetëm në 6-7 ditë ka pasur një fluks ardhjesh prej 200 personash. Një mesatare dy herë më e lartë se viti që kaloi dhe problemi kryesor është shfrytëzimi tej kapaciteteve i spitalit dhe i shtretërve që kemi por dhe personelit mjek, ndihmës dhe infermierë”, u shpreh Kalo.

Më tej mjeku tha se mbingarkesa në pavionet e urgjencës sjell acarim të marrëdhënieve pacient-personel. Ai tha se shumica e pacientëve adresohen në QSUT pa kaluar fillimisht në një vizitë tek mjeku i familjes.

“Mbingarkesa sjell acarim të marrëdhënieve pacient-personel. Pjesa më e madhe është se të gjithë adresohen në QSUT pa kaluar në një vizitë tek mjeku i familjes, duke shmangur për të dhënë ndihëm atyre që kanë vërtetë urgjenca. Duhet të bëjmë kujdes. Në qendrat e urgjencës duhet të vijnë vetëm ata që nuk mund të merren përsipër nga këto qendra”, tha Kalo./b.l/noa.al/

Loading...
Loading...