Pas dosjes 184, Prokuroria për Krime të Rënda ka hequr dorë nga hetimi i një tjetër çështje të rëndësishme. Bëhet fjalë për dosjen e biznesmenit, e cila është transferuar në prokurorinë e Elbasanit.
Burime të besuara nga Prokuroria për Krime të Rënda konfirmuan faktin se ky institucion ka shpallur moskompetencën për hetimin, me argumentin se veprat penale, nuk janë kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Hetimet e mëtejshme do të vijohen nga prokuroria e Elbasanit, me akuzat e “pastrimit të parave” dhe “fshehjes së të ardhurave”.
News24 kontaktoi me zyrën e shtypit në Prokurorinë e Përgjithshme për të mësuar nëse dosja është transferuar dhe nëse ishte caktuar prokurori që do të kryente hetimet, nga e cila mori përgjigje se dosja është dërguar në Prokurorinë e rrethit Elbasan por nuk dha shpjegime se në cilën faze ndodhen hetimet.
Biznesmeni, u arrestua në Elbasan më shumë se një vit e gjysmë më parë dhe në makinën e tij u gjetën një shumë prej 863 mijë euro dhe dy patentat e lundrimit të ish-ministrit të Brendshëm.
Fillimisht ishte prokuroria e Elbasanit që caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për të. Më pas çështja u transferua në Prokurorinë për Krime te Rënda, pasi dyshohej se paratë që iu gjetën në makinë mund të ishin të ish ministrit të Brendshëm.
Këtë pretendim prokurorët e Krimeve të Rënda, e ngritën në seancën e caktimit të masës.
Pas disa seancash radhazi, biznesmeni rifitoi lirinë ndonëse hetimet vijonin. Në momentin kur Prokuroria përfundoi hetimet për ish-ministrin Tahiri dhe tre ish-zyrtarët e lartë të policisë së Vlorës, ndaj të cilëve ngriti disa akuza, më e rënda ajo e trafikut të drogës në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, dosja u veçua.
Por nuk kaloi shumë kohë dhe Krimet e Rënda hoqën dorë prej saj.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd