Një mënyrë e thjeshtë, tradicionale për të ëmbëlsuar gjithë familjen është keku me fruta. Kjo recetë është tipike e kuzhinës shqiptare e përgatitur nga të gjitha trevat nga veriu në jug.
Krejt lehtë për t’u përgatitur dhe me një shije fantastike, ky kek është ideal për t’u konsumuar në çdo kohë të ditës, e madje edhe në mëngjes me një gotë me qumësht.
Përbërësit:1 kg fruta të përziera (banane, qershi, mollë, luleshtrydhe, pjeshka, kajsi etj), 2 vezë, 200 g sheqer kaf ose i bardhë, 300 g miell, 200 ml qumësht, 1 bustinë sodë për ëmbëlsira (16 g), 2-3 lugë galetë (bukë e thekur, e grirë), 1 majë thike kripë.
Përgatitja: frutat e qëruara i ndajmë në copa të vogla. Në një tas, rrahim me rrahësen elektrike vezët me sheqerin për 5 minuta, derisa të bëhen si shkumë. Shtojmë miellin, kripën, sodën me sitë pjesë-pjesë dhe qumështin (herë miell e herë qumësht) dhe e ulim shpejtësinë e rrahëses.
Shtojmë frutat dhe i përziejmë me spatul. E hedhim brumin në tavën e lyer më parë me gjalpë e galetë dhe e pjekim për rreth 60 minuta. Pasi të ketë marrë ngjyrë në sipërfaqe, e mbulojmë me letër alumini dhe vazhdojmë pjekjen, derisa kur të bëjmë provën me kruajtëse dhëmbësh ajo të dalë e pastër. E heqim nga tava pasi të jetë ftohur.
Koha e përgatitjes – 30 minuta
Koha e pjekjes – 60 minuta në temperaturën 180° C.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd