Transmetuar më 16-08-2019, 17:54

Jo vetëm media, por edhe politika është tronditur nga humbja e parakohshme e gazetarit të mirënjohur, Fatos Baxhaku.

Një humbje të madhe që do të na mungojë të gjithëve, e quan Presidenti Meta ndarjen nga jeta të Fatos Baxhakut.

“Dhembje e thellë për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetarit dhe publicistit të mirënjohur, Fatos Baxhaku! Një nga pionierët e shtypit të pavarur të fillimviteve ’90, Baxhaku spikati si një penë e mprehtë dhe kritike e tranzicionit shqiptar, por veçanërisht edhe si një nga autorët më të njohur të reportazheve të shkruara e dokumentarëve televizivë”, shkruan Meta në mesazhin e ngushëllimit.

Kreu i shtetit kthehet pas në kohë për të evidentuar vlerat e gazetarit dhe publicistit.

“Fatosi u bë protagonist i rendit të parë në jetën publike të vendit për tridhjetë vjet me rradhë, duke e lidhur emrin e vet pazgjidhshmërisht me shtypin e lirë dhe mbrojtjen e lirisë së shprehjes, që për të ishin mision i shenjtë!

Në këto momente dhembjeje të madhe, ju shpreh ngushëllimet e mia të ndjera dhe jam pranë familjes dhe gjithë të afërmve të Tij, të cilët humbën njeriun e tyre më të dashur, por edhe pranë komunitetit të gazetarëve që humbën shokun, mikun, kolegun e pazëvendësueshëm, modelin e profesionistit, i cili asnjëherë nuk bëri kompromis në dëm të përmbushjes së misionit, që iu dedikua me pasion dhe përkushtim shembullor”, vijon Meta.

Presidenti mbyll mesazhin duke nënvizuar se “Fatosi do të na mungojë të gjithëve, por do të jetojë gjithnjë emri, thjeshtësia dhe mirësia e tij! Lutem që shpirti i Tij të prehet në paqen e përjetshme”. /k.k/noa.al/