Transmetuar më 16-08-2019, 16:54

Gazetari dhe publicisti i njohur Fatos Baxhaku ka ndërruar sot jetë në moshën 55-vjeçare, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë.

Gazetari Baxhaku ishte një nga pionierët e shtypit të pavarur që nga fillimi i viteve 90.

Autori i njohur i reportazheve të shkruara dhe televizive, studiues i historisë, një penë e mprehtë kritike e tranzicionit shqiptar.

Baxhaku lindi në Tiranë më 9 janar në 1964.

Shkollimin e parë e kreu në shkollat asokohe 8-vjeçare, Emin Duraku dhe “20-vjetori”, (sot Dora D’Istria).

Shkollimin e mesëm e kreu në gjimnazin “Ismail Qemali”. Përgjatë viteve 1982-1986 studioi në Universitetin e Tiranës në fakultetin e Histori-Filologjisë ku u diplomua në histori.

Në 1999-2000 ishte kryeredaktor i revistës së përjavshme “XXL”.

Nga 2001 deri në 2005 ishte kryeredaktor dhe gazetar në televizionin “Vizion Plus”. Në 2006-2015 ishte kryeredaktor dhe gazetar në të përditshëm “Shqip”. Nga viti 2015 ka ushtruar gazetarinë në profesion të lirë.

Baxhaku është autor ose bashkautor i serialeve me reportazhe “Tunel”, “Rrugëtim”, “Shtëpi e Vjetër” si edhe i shumë dokumentareve televizive.