Transmetuar më 15-08-2019, 10:47

Kryeministri Edi Rama gjatë mëngjesit të ditës së sotme ka publikuar foto nga puna e kryer tek Shkëmbi i Kavajës në Golem, për sistemimin e rrugëve dhe vendosjen e ndriçimit.

Krahas fotove, të publikuara në Facebook, Rama shkruan se “xhunglës 30-vjeçare të ndërtimeve pa hesap po i zë vendin hap pas hapi një rrjet normal infrastrukture”.

Sipas tij investimi vjen “pas aq shumë vitesh të shkuara mbrapsht, duke i’a futur kot e shkatërruar medemek për të ndërtuar”.

“Vazhdon çdo natë edhe gjatë sezonit veror, sistemimi i rrugëve dhe vendosja e ndriçimit në zonën turistike të Shkëmbit të Kavajës, ku katrahurës, pluhurit, errësirës, xhunglës 30-vjeçare të ndërtimeve pa hesap përgjatë brezit bregdetar, po i ze vendin hap pas hapi, një rrjet normal infrastrukture falë Programit Kombëtar të Rilindjes Urbane. Gur gur bëhet muri dhe mur mur bëhet kalaja, thotë Populli, paçka se të kërkosh sot durim, pas aq shumë vitesh të shkuara mbrapsht, duke i’a futur kot e shkatërruar medemek për të ndërtuar, është si të kërkosh ujë në shkretëtirë”, shkruan Rama në postimin e tij./a.k/noa.al/