SHBA, Anglia e Franca thirrje Kosovës: Hiqni taksën ndaj Serbisë
Transmetuar më 13-08-2019, 16:30

Kosova dhe Serbia duhet të fillojnë procesin e dialogut për tejkalimin e ngërçit me qëllim normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore. Ka qenë kjo porosia e Gjermanisë, SHBA dhe Francës  dhe vendeve të tjera, të cilat u janë drejtuar sot të dyja vendeve, ndërsa i kërkuan Prishtinës të heqë taksën me Serbinë. Me një thirrje të fortë edhe ndaj Serbisë, vendet e lartpërmendura kërkuan prej Beogradit zyrtar të frenojë fushatën agresive të saj për të  kthyer njohjen e Pavarësisë së Kosovës.

“Qeveritë e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të bashkuara në qëllimin për të parë normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, politikisht të qëndrueshme dhe ligjërisht detyruese që i kontribuon stabilitetit rajonal. Status që pengon përparimin e Kosovës dhe Serbisë në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian (BE) dhe thjeshtë nuk është e qëndrueshme.

Pas viteve të tëra të ngecjes ka ardhur koha që më në fund të përmbyllen konfliktet e viteve të 90-ta dhe të ofrohet një e ardhme e sigurtë dhe e begatshme për qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë duke negociuar në mirëbesim një marrëveshje që mund ta mbështesin të dy palët. Prandaj, i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë të rifillojnë dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe kërkojmë nga të dy palët të shmangin veprime që do të pengonin një marrëveshje përfundimtare, e cila është e nevojshme për të dy vendet për të arritur integrim më të madh euro-atlantik dhe përfitimet përcjellëse”, thuhet në njoftim.

Ndërsa më tej thuhet se  janë të gatshëm të forcojmë rolin e tyre në këtë proces në përkrahje të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, por mund ta bëjnë një gjë të tillë vetëm kur ata të japin shenja të gatishmërisë për kompromis, për heqjen e pengesave dhe rifillimin e bisedimeve.

“Për Kosovën, kjo nënkupton heqjen e taksave të vendosura ndaj Serbisë. Për Serbinë, kjo nënkupton ndërprerjen e fushatës për heqjen e njohjeve kundër Kosovës. Ne dëshirojmë të shohim që njerëzit e Kosovës dhe të Serbisë të përfitojnë nga paqja e qëndrueshme dhe të kenë mundësi të ndërtojnë të ardhmen e tyre. Jemi të gatshëm të ndihmojmë në çfarëdo mënyre”./b.l/noa.al/

Loading...
Loading...