Transmetuar më 13-08-2019, 13:14

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla reagon pas dokumentit të publikuar nga Partia Demokratike, me anë të së cilit pretendohet se kryebashkiaku i zgjedhur i Shkodrës, Valdrin Pjetri, është dënuar në Itali për trafik droge.

Balla thotë se kanë ndjekur në vazhdim prononcimet e Partisë Demokratike, mbi pretendimin se kryetari i zgjedhur i Bashkisë Shkodër, është subjekt i Ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

Ai deklaron se në raport me ligjin e me drejtësinë dhe padiskutim edhe me këtë aspekt specifik të legjislacionit shqiptar, lidhur me pastërtinë e figurave që ushtrojnë funksione publike, Partia Socialiste ka përcaktuar qartë një vijë të kuqe, për të gjithë anëtarët e saj.

“Kjo vijë e kuqe nuk përjashton askënd, që nga kryetari i Partisë deri tek anëtari i thjeshtë. Për Partinë Socialiste të gjithë janë të barabartë para ligjit, askush nuk është mbi ligjin dhe ligji është mbi çdo invidid dhe interes politik. Pavarësisht opinionit tonë mbi qasjen destruktive dhe gjuhën baltosëse, që karakterizojnë sjelljen publike të Partisë Demokratike, ky rast konkret është një nga ato raste, kur politika duhet t’i referohet vetëm ligjit. E vërteta mbi këtë rast, s’mund të zgjidhet sipas preferencës apo interesit politik. Ajo duhet të zbardhet deri në fund përmes rrugës së përcaktuar qartësisht në ligj”, shprehet Balla.

Ai përshëndet faktin se Prokuroria e Përgjithshme dhe Policia e Shtetit, janë vënë në lëvizje, duke kërkuar zyrtarisht informacionin përkatës pranë autoriteteve italiane, qysh në momentin e parë të shfaqjes së këtij pretendimi, lidhur me pastërtinë e figurës së kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Shkodër, Valdrin Pjetri.

Për Partinë Socialiste, thotë ai, qoftë pretendimet e opozitës jashtëparlamentare, qoftë sqarimet e dhëna nga Valdrini, përshirë edhe publikimin e dokumentacionit përkatës nga Italia (të vënë më parë në dispozicon prej tij, kur ne kemi kryer si për çdo kandidaturë të gjitha verifikimet ligjore që mundëson statusi ligjor i organizatës sonë) nuk mjaftojnë. “Me këtë rast, hedhim poshtë me neveri akuzat lidhur me ndonjë marrje në dijeni, nga burime të ashtuquajtura “diplomatike” apo të çfarë do lloji tjetër, mbi pretendimin e Partisë Demokratike. Kjo është tërësisht e pavërtetë dhe do t’i referohet gjykatës, në formën e padisë njësoj si për shpifje të tjera. Dihet botërisht tanimë se në çdo rast, kur mes palëve politike përfshihen institucionet ligjzbatuese dhe kur bëhet fjalë për raportin e individit me ligjin, Partia Socialiste nuk investohet në asnjë debat, përpara se sa institucionet të thonë fjalën e tyre”, deklaron Taulant Balla.

Ai shton se konkretisht, akuza e ngritur ndaj Valdrin Pjetrit, me një pretendim të bazuar në dokumente joligjore nga ana e Partisë Demokratike, nuk mjafton as për t’u pranuar a priori, as për t’u rrëzuar a priori.

Balla e mbyll qëndrimin duke thënë se përtej dëshirës që e drejta të jetë në anën e tij, Partia Socialiste garanton opinionin publik dhe komunitetin e nderuar të Bashkisë së Shkodrës, se përtej çdo interesi partiak, politik apo individual, do të qëndrojë edhe në këtë rast në anën e ligjit dhe të interesit publik. /a.y/noa.al

PD publikon dokumentin: Valdrin Pjetri i dënuar në Itali për trafik droge