Vritet nga bashkëshorti me 15 plumba nëna e këshilltares së Haradinaj
Transmetuar më 07-08-2019, 15:48

Një 41-vjeçare është vrarë mbrëmë në Prizren nga bashkëshorti i saj. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Hysni Morina” pas orës 23:00, ka bërë të ditur policia përmes një njoftimi për media. Viktimë ka mbetur Armenda Velija, e cila është qëlluar me 15 plumba nga bashkëshorti i saj 20 vjet më i madh, i cili më pas ka lajmëruar dhe policinë.

“Njësitë e hetimeve dhe krim teknika në vendin e ngjarjes kanë gjetur viktimën si dhe 15 gëzhoja të kalibrit 9 mm. Me vendim të prokurorit është bastisur shtëpia e personit të dyshuar dhe policia ka arritur të gjejë armën e tipit revole ZIG M1, të kalibrit 9 mm si dhe 42 fishekë të kësaj armë. Dyshohet se me të njëjtën armë i dyshuari ka kryer veprën penale të ‘vrasjes së rëndë’. I dyshuari dhe viktima kanë qenë bashkëshortë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia ka bërë të ditur gjithashtu se lidhur me rastin është ndaluar në afat prej 48 orë personi i dyshimtë Bajram Velija i lindur në vitin 1958.

Ndërkaq me vendim të prokurorit të shtetit trupi i pajetë është dërguar në IML për procedura të mëtejshme hetimore. Me rastin po merren njësitë e hetimeve rajonale në Prizren.

Ndërkaq mediat kosovare shkruajnë se gruaja që u vra në Prizren është nëna e nënkryetares së AAK-së e këshilltare politike e kryeministrit në largim Ramush Haradinaj, Diellza Hotit. Hoti është edhe kryetare e rinisë në këtë parti.

Lajmin për këtë e ka bërë të ditur vetë Hoti përmes një fotografie të cilën e ka shpërndarë në rrjetin social Instagram. “Pusho e qetë në paqe mami jem, engjëlli jem”, ka shkruar vajza e të ndjerës. Mësohet se viktima ishte martuar disa vite më parë me 61-vjeçarin dhe nuk kishin fëmijë, ndërsa ka dy vajza nga martesa e parë.

Për krimin ka reaguar edhe kryeministri ende në detyrë i Kosovës Ramush Haradinaj.“Thellë i prekur nga vdekja tragjike e Armenda Aliut, mikes sonë dhe nënës së koleges nga kabineti Diellza Hoti. Ngushëllime familjes dhe miqve. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës! RH”.

Deri më tani mësohet se 42-vjeçarja u vra pas një mosmarrëveshjeje që pati me burrin e saj 20 vjet më të vjetër, 61-vjeçarin./b.l/noa.al/

Loading...
Loading...