Nuk lëshoi kupon tatimor, mbyllet kompleksi ‘Taivan’! Braçe: Të jesh i madh sa të duash, zbato ligjin
Transmetuar më 02-08-2019, 09:11

Mbyllet një prej komplekseve më të mëdha në kryeqytet, i njohur nga të gjithë si ‘Taivani’, te parku “Rinia”.

Mbyllja e tij vjen në kuadër të aksionit anti-informalitet, për shkak se nuk ka lëshuar asnjë kupon tatimor për klientët.

Lajmin e ka bërë me dije zëvendëskryeministri Erion Braçe, i cili thotë se është mbyllur kafeneja, restorantet dhe kazinoja.

Braçe paralajmëron të gjithë bizneset se të duhet të zbatojnë ligjin pavarësisht miqësive, ndërsa falenderon inspektorët tatimorë dhe ministren e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj për korrektësinë në krye të detyrës.

“Ky është Taivani! Nga dje në mbrëmje i mbyllur i gjithi!

Mu në zemër të Tiranës dhe pa asnjë-zero kupon tatimor në çdo tavolinë!

Për herë të dytë! Kështu që mbyllur kafeneja, mbyllur restoranti në katin e parë, mbyllur restoranti në katin e dytë, mbyllur kazinoja! Mbyllur të gjitha!

Të jesh kush të duash, i madh sa të duash, mik e shok me kë të duash, ose zbato ligjin, ose do mbyllesh! Mos kërko kot, nuk të ndihmon dot kërkush!

Dua të falenderoj edhe një herë inspektoret e Hetimit Tatimor Qendër për korrektësinë në kryerje të detyrës, ministren Denaj, drejtuesit e Tatimeve dhe cilindo të përfshirë në këtë përpjekje konstante për ligjshmëri!”, shkruan Braçe. /a.y/noa.al

Loading...
Loading...