Drejtoresha e Tatimeve: Pa kupon s’ka karburant! Kush gjendet me regjim manual, do të bllokohet
Transmetuar më 01-08-2019, 12:42

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj në një dalje për mediat ditën e sotme paralajmëroi se aksioni anti-informalitet për muajin gusht do të ketë në shënjestër karburantet.

“Pa kupon nuk ka karburant! Nga më të mëdhenjtë te të vegjlit, synohet formalizimi i ekonomisë. Me urdhër të ministres së Ekonomisë dhe Financave nga sot drejtoria e Tatimeve dhe drejtoria e Meteorologjisë do të nisin inspektime të përbashkëta për certifikimin e regjistrit. Inspektimi do të bëhet në të gjithë vendin për pompat. Certifikimi teknik dhe plumbosja do të bëhet nga drejtoria e Meteorologjisë”, u shpreh Ibrahimaj.

Ajo tha se ligji nuk lejon që karburantet të shesin në regjim manual dhe se nëse kanë probleme me pompën duhet të ndërpresin shitjen dhe të raportojnë te tatimet apo kompanitë e kasave.

Sipas saj, gjatë muajve të fundit në shumë karburante ka rezultuar se bëhen ndërhyrje të pompave duke i kaluar nga automatik në manual, ku tha se do të identifikohen dhe certifikohen në regjim.

“Nëse gjenden me regjim manual do të bllokohen. Kur janë automatik do të certifikohen. Nëse do të ketë raste të përsëritura inspektorët do të verifikojnë regjimin. Janë 1200 subjekte dhe 3200 pompa që do të kontrollohen”, deklaroi Ibrahimaj. /a.y/noa.al

Loading...
Loading...