Transmetuar më 24-07-2019, 19:18

Policia e Elbasanit ka finalizuar operacionin e koduar “Invest”, duke vendosur sekuestro preventive mbi rreth 700 mijë euro pasuri të një 33-vjeçari me inicialet M.K.

Pasuria e tij dyshohet se është vënë nga aktiviteti kriminal

Në kuadër të operacionit u kryen veprimet procedurale dhe u vendos sekuestro preventive për pasuritë e paluajtshme, të cilat dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal, si më poshtë: apartament me sipërfaqe 350 m2; 1 truall me sipërfaqe 5000 m2; 1 ndërtesë 200 m2; 1 automjet.

Nga vlerësimi paraprak i pasurive të sipërshënuara, rezulton se ato arrijnë vlerën e rreth 700 000 Eurove.

Policia në njoftimin e saj konfirmoi se “Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, në kuadër të hetimit të procedimit penal të regjistruar pranë kësaj Prokurorie, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, gjatë paradites së sotme u finalizua operacioni policor i koduar “Invest”, për vendosjen e sekuestrove preventive ndaj pasurisë së 33-vjeçarit M. K.”

Në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, po vijojnë hetimet dhe verifikimet, për evidentimin e pasurive të tjera të luajtshme dhe të paluajtshme në emër të këtij shtetasi.

Policia e Shtetit shprehu  vendosmëri për të gjurmuar, evidentuar dhe sekuestruar çdo pasuri a vlerë monetare, që rrjedh nga aktivitet kriminal. Kjo masë vjen një ditë pasi iu vendos sekuestro edhe pasurive të dy vëllezërve Çela në këtë qytet, njëri prej të cilëve akuzohet në bandën e grabitjes së Aeroportit “Nënë Tereza”, pak kohë më parë. /a.m/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd