Transmetuar më 17-07-2019, 19:32

Një gjykatë në Nju Jork dënoi udhëheqësin meksikan të rrjetit të drogës, Joaquin “El Chapo” Guzman, me burgim të përjetshëm, por përveç këtij dënimi i ka shtuar edhe 30 vjet të tjera.

Guzman, 62 vjeç, u shpall fajtor për dhjetë akuza, përfshirë trafik droge apo edhe pastrim  parash.

Ai u arratis nga burgu i Meksikës përmes tunelit në vitin 2015, por u  arrestua më vonë për llogari të SHBA-ve.

“El Chapo” akuzohet për dërgimin e qindra tonelatave kokainë në SHBA, si dhe për konspiracion për të shpërndarë drogërat e forta.

Mbi këto akuza ai në vitin 2017 është ekstraduar në Shtetet e Bashkuara, ku edhe mori dënimin.

Bosi i trafikut të drogës ka udhëhequr kartelën Sinaloa në veri të Meksikës, që sipas zyrtarëve ka qenë furnizuesja më e madhe e drogës në SHBA.

Në vitin 2009, ai ishte në listën e burrave më të pasur në botë, të përpiluar nga revista Forbes.

Ai po ashtu akuzohet se ka paguar njerëz për të kryer qindra vrasje, sulme, rrëmbime dhe akte torturash, ndonëse nuk ka prova.

Gjatë gjykimit, dëshmitarët kanë thënë se "El Chapo"ka torturuar armiqtë e kartelit të tij.

Para se t’i shpallej dënimi Guzman tha në sallën e gjyqit se burgimi i tij në SHBA ka qenë “torturë psikologjike, emocionale dhe mendore 24 orë në ditë”./a.m/noa.al/