Vrasja pas shpine në Athinë, çfarë tha i riu shqiptar para se të ndërrojë jetë
Transmetuar më 16-07-2019, 11:14

Detaje tronditëse vijnë nga Greqia ku djaloshi shqiptar që u qëllua fatalisht me armë zjarri i kishte kërkuar autorit të mos e vriste.

Mediat greke nxorën një foto tjetër nga vendngjarja që e shihni në galeri, ku tregohet se i riu kishte humbur shumë gjak nga dy plumba që mori pas shpine.

Dëshmitë okulare evidentojnë se 33 vjeçari kishte thirrur që mos e vrisnin. "Mos e bëj", kishte klithur i riu por kjo nuk ndodhi sepse menjëherë më pas u qëllua dy herë me armë zjarri.

Një kalimtar i rastit e pa të përgjakur pranë shkallëve të shtëpisë në rrugën Agjios Mavras në Haidari dhe njoftoi policinë.

Punonjës policie që u afruan tek i riu, i dhanë ndihmën e parë duke u përpjekur ti ndalin gjakderdhjen.

Teksa ndodhte kjo, 33 vjeçari bërtiste disa herë emrin Myrtaj. E teksa policët po i kërkonin të thoshte më shumë, ai iu kthye: "Ore po vdes, a nuk e kuptoni".

Më tej i riu u dërgua në spitalin Gjenimatas të Athinës ku pak më vonë ndërroi jetë, pasi në 00.20 të së dielës ishte qëlluar me armë zjarri.

Në vendngjarje policia gjeti një çantë ku ndodhej pasaporta e të ndjerit.

Hetimet e para tregojnë se i riu nuk ishte ndjekur penalisht në Greqi.

Megjithatë dyshimet janë se vrasja ishte larje hesapesh, ndoshta për ngjarje që lidhen me Shqipërinë apo një vend tjetër.

Policia tha se është vënë në kërkim të autorit. Krimi ndodhi pak pasi i ndjeri kishte takuar një person dhe pak më pas u qëllua për vdekje. /noa.al/

Loading...
Loading...