Transmetuar më 12-07-2019, 16:13

Pas lënies në fuqi nga KAS të vendimit të UEFA, Skënderbeu është në një udhëkryq të madh. Në klubin korçar, konkretisht drejtuesit, janë në mëdyshje për të ardhmen, ndërsa aktualisht ekzistojnë disa mundësi.

E para është që klubi të vijojë në të njëjtat kushte, por të bazohet në zbulimin e talenteve të rinj që në ndërthurje me eksperiencën e disa lojtarëve të tjerë të mbajnë ekipin në Superligë. Në këtë rast do synohet edhe shitja e lojtarëve në tregun ndërkombëtar.

Varianti tjetër është që të ndërrohet emri i klubit, nga Skënderbeu në Akademia Skënderbeu. Në këtë rast klubi duhet ta nisë aventurën nga kategoria më e ulët, që është ajo e treta.

Versioni i tretë, që është edhe më i frikshmi, është ai i largimit të drejtuesve për të marrë një klub tjetër ose largimi përfundimtar nga futbolli.

Më herët, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv, e njohur si KAS, ka dhënë vendimin për ekipin e futbollit Skënderbeu. Me vendimin e publikuar ditën e sotme, lihet në fuqi përjashtimi me dhjetë vite nga kompeticionet europiane.

Ekipi shqiptar i futbollit është gjetur fajtor edhe për fiksim rezultatesh, duke u dënuar nga UEFA me 1 milion euro.

Me këtë vendim KAS lë në fuqi dënimin e dhënë nga UEFA më 29 mars të vitit 2018. Kësisoj KAS nuk mori parasysh mbrojtjen e bërë nga Skënderbeu, duke i konfirmuar dënimin e rëndë./b.l/noa.al/