Zbulohen mbi 1 mijë rrënjë kanabis, armë dhe vegla pune, 3 të arrestuar në Bulqizë
Transmetuar më 11-07-2019, 09:18

Një aksion i policisë në zonën e Bulqizës ka zbuluar mbi një mijë rrënjë kanais sativa dhe armë zjarri, duke vënë në pranga tre persona.

Pasditen e kësaj të mërkure është finalizuar operacioni i koduar “Ballenjë-2019”, gjatë të cilit u sekuestruan armë zjarri, municion luftarak, kubik ku ishin kultivuar fara kanabis dhe bazë materiale që do shërbente për të kultivuar në tokë fidanët narkotikë.

Kështu në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, se në malin e Ballenjës, Martanesh, disa persona po përgatiteshin për të kultivuar bimë narkotike, u bë ndërhyrja e policisë.

Nga ana e uniformave blu u vunë në pranga A.Ll., 26 vjeç, banues në Mirditë; K.H., 25 vjeç, banues në Tiranë dhe O.K., 23 vjeç, banues në Tiranë.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik model 56, me 30 fishekë, 1324 kubikë në gota plastike, të mbjella të dyshuara me fara kanabis sativa.

Gjithashtu u gjetën vegla pune, tuba plastike që do shërbenin për kultivimin në tokë të fidanëve që u gjetën në gotat plastike.

Lidhur me këtë rast hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Dibrës për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhim dhe shitja e narkotikëve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” kryer në bashkëpunim. /a.y/noa.al

Loading...
Loading...