Transmetuar më 10-07-2019, 15:30

Ambasadori italian Alberto Cutillo ka pritur në një takim kryebashkiakët në ikje të PD,  Voltana Ademi, Xhelal Mziu dhe Agron Kapllanaj të cilët ndryshe nga kolegët e tyre në partinë më të madhe opozitare, kanë shprehur bindjen se nuk do t’i lirojnë zyrat pavarësisht rezultatit të 30 qershorit.

Kryebashiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, dhe disa kryebashkiakë të djathtë ende në detyrë, si Xhelal Mziu i Kamzës, Agron Kapllanaj i Mallakastrës, kanë zhvilluar sot një takim me ambasadorin e Italisë në vendin tonë, Alberto Cutillo.

Takimi vjen dy ditë pasi Ademi kërkoi komision ndërkombëtar si në vitin 1913 për të liruar Shkodrën.  Vetë Ademi ka njoftuar në “Facebook” takimin me kryediplomatin italian, duke u shprehur se ka zhvilluar me të një bisedë tejet konstruktive.

“Falenderoj përzemërsisht Ambasadorin e Republikës së Italisë në vendin tone SHT Z. Alberto CUTILLO për përgjigjen ndaj letrës që unë, si kryetare e Bashkisë dhe qytetare e Shkodrës, i dërgova si përfaqësues i një vendi mik dhe me lidhje të ndërsjellta shekullore.

Në Ambasadën e Republikës së Italisë me Z. Ambasador, bashkë me kolegët z. Agron Kapllanaj kryetar i Bashkisë Mallakastër dhe z. Xhelal Mziu, kryetar i Bashkisë Kamëz, zhvilluam një bisedë tejet konstruktive, ku përcollëm të gjitha shqetësimet tona tashmë të njohura e publike.

Gjetëm vëmendjen e tij të plotë për çfarë diskutuam dhe çeshtjet e rëndësishme që ngritëm për funksionimin normal të sistemit demokratik në përgjithësi dhe të qeverisjes vendore në veçanti. #FaleminderitAmbasadorCutillo”, ka shkruar Ademi./b.l/noa.al/